Vitin që vjen, qytetarët dhe biznesi do të paguajnë 45 miliardë lekë më shumë për buxhetin e shtetit. Rritja ambicioze me 2.7 pikë përqindjeje të PBB-së vetëm brenda një viti do të vijë nga politikat e reja fiskale, rritja ekonomike, lufta ndaj informalitetit dhe ndihmat nga Fondi Monetar dhe Banka Botërore. Ja si ndahet torta e të ardhurave dhe ndikimet e saj në konsum dhe rritjen ekonomike
Nga Blerina Hoxha
Bizneset dhe konsumatorët shqiptarë do të duhet të paguajnë rreth 45 miliardë lekë (rreth 450 mln USD) më shumë nga taksat vitin që vjen dhe së paku 8-9 miliardë lekë më shumë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Të dyja së bashku përbëjnë një vlerë prej 54 miliardë lekësh apo rreth 540 milionë dollarësh, e cila do t’u hiqet shpenzimeve të tjera dhe do të shkojnë taksa për qeverinë.
Automatikisht, konsumi në vend do të pakësohet në këto vlera e për rrjedhojë, rritja ekonomike e vendit të frenohet nga ky fakt. Ekonomia shqiptare ka në themel të rritjes së saj konsumin dhe investimet private dhe një rënie e mëtejshme e likuiditetit në ekonomi cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë tregtinë me pakicë. Në këtë gjykim, ekspertët ndahen në dy pjesë nëse, paratë që u merren konsumatorëve nga qeveria do të mund të administroheshin më mirë për t’u kthyer më pas në një përfitim plus te qytetarët. Ndërsa pjesa tjetër mendojnë se, tregjet vetërregullohen dhe se politikat liberale fiskale e ndihmojnë rritjen e konsumit dhe rritjen ekonomike, më shpejt se sa ndërhyrjet e qeverive. Tradita ka treguar se, teoritë ekonomike nuk gjejnë përputhje me realitetin. Elemente të tillë si korrupsioni dhe keqadministrimi janë faktorë thelbësorë se, qeveria nuk është një garant i mirë dhe i besueshëm i taksave të qytetarëve për t’i mirëpërdorur ato. Por, nga ana tjetër, borxhi mbi 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) tejet i lartë për kapacitetet e ekonomisë sonë po detyron qeverinë që të paktën në periudhën afatmesme të vjelë më shumë taksa për shlyerjen e tij. Por në kushtet kur rritja ekonomike është në minimum, politika e qeverisë për konsolidim fiskal rrezikon të bjerë në rreth vicioz. Rritja e taksave do të frenojë konsumin. Rënia e konsumit ndikon negativisht në rritjen e ekonomisë. Një ekonomi e dobët do të prodhojë më pak taksa në periudhën në vijim e për rrjedhojë, do të ketë më pak mundësi për frenimin e rritjes së borxhit. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rënë në gjurmën e kësaj krize. Më shumë se sa kërkesa për rritjen e taksave, FMN dhe Banka Botërore janë të fokusuara në reformat strukturore të tilla si energjia, pensionet, etj., që mund të përmirësojnë krahun e shpenzimeve buxhetore. Rekomandimet më të fundit nga kryeekonomistët janë nxitja e kërkesës dhe konsumit në çdo formë.
Europa është në prag të një deflacioni, i cili po e çon në depresion ekonominë. Si dalje nga kjo gjendje shihen vetëm investimet publike dhe rritja e likuiditeteve në ekonomi. Ka edhe disa rekomandime ekstreme të bëra nga ekspertët e “The Economist” të cilët, në një afat jo shumë të gjatë, shohin si zgjidhje prerjen e parave nga bankat qendrore, si mjeti i vetëm për nxitjen e konsumit në një kohë kur bankat qendrore dhe qeveritë e kanë konsumuar ndjeshëm politikën fiskale.
Para dy vitesh, kur të ardhurat buxhetore në vlerë neto shënuan rënie për herë të parë gjatë periudhës së tranzicionit, duke përjashtuar vitin 1997, të gjithë besuan se kriza globale kishte shtrirë tentakulat kudo edhe në financat e qeverisë. Rënia e importeve, e shoqëruar me tkurrjenn e konsumit, ulja e ritmeve të rritjes së ekonomisë nga 6% në më pak se 3%, ishin në dukje të mjaftueshme për të besuar performancën e dobët në të ardhurat buxhetore. Por qeverisja e re duket se ka krijuar një model të ri rezistencë ndaj krizës, duke ndryshuar sjelljen e taksave e për rrjedhojë, edhe volumin e të ardhurave. Projekti “surprizë” i qeverisë për vitin 2015, parashikon një rritje të të ardhurave me 45 miliardë lekë ose 450 milionë dollarë në krahasim me planin e pritshëm të këtij viti. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, kjo është rritja më e madhe e shënuar në këto vite të tranzicionit, me 2.7% pikë përqindjeje. Ekspertët sakaq po i bien lapsit se, ku do t’i gjejë qeveria të 450 milionë dollarët shtesë dhe nëse i gjen, si do ta ndikojnë këto ekonominë.
13 miliardë lekë më shumë nga rritja e taksave
Paketa e re fiskale, e cila në themel ka rritjen e akcizës, tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksës së qarkullimit pritet të sjellë në buxhet një shumë shtesë 13.7 miliardë lekë. Rreth 5 miliardë lekë nga kjo shumë do të gjenerohen duke ndryshuar normën e taksimit mbi të ardhurat personale nga 10% në 15%. Më konkretisht, komponentët e TAP që ndryshojnë janë: tatimi mbi dividentin, interesat nga huat, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Por pjesa më e madhe nga rritja e taksave i dedikohet rritjes së taksës së qarkullimit, e cila rritet me 10 lekë por me gjithë efektin e TVSH-së, rritja neto është 12 lekë. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë, 6,7 miliardë lekë nga të cilat, 5.6 miliardë lekë vijnë nga rritja e taksës së qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja për vitin 2015. Ministria e Financave argumenton se, arsyeja për ndryshimin e kësaj takse lidhet me nevojat në rritje të mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore. Taksat gjithsej në benzinë dhe naftë janë 57 lekë/litër. Totali i mbledhjes së këtyre taksave, ekonomikisht, nuk mbulon plotësisht investimet që buxheti harxhon në sektorin e mirëmbajtjes së rrugëve. Ministria e Financave i kanë lënë derën e hapur rritjes së mëtejshme të kësaj takse, duke argumentuar se, Shqipëria ende nuk i plotëson kërkesat minimale të BE-së për akcizat e karburanteve motorike. Direktiva e BE-së 2003/96 kërkon një akcizë minimale prej 0,359 eurosh (50 lekë) për litër për benzinën, 0.330 euro (46 lekë) për litër në naftën (motorike). Një shumë tjetër prej 4 miliardë lekësh ose 40 milionë dollarë do të arkëtohet nga rritja e akcizës së cigares me 20 lekë për paketë, ku 3.5 miliardë lekë vjen si rritje e tatimit dhe 600 milionë lekë të tjera nga efekti i TVSH-së. Në linjë me rritjen e akcizës së cigareve, Parlamenti miratoi edhe rritjen e akcizës së duhanit të dredhur me 1400 lekë për kg deri në fund të vitit 2015. Efekti në të ardhura është 200 milionë lekë për vitin 2015. Edhe pse me rritje të fortë gjatë dy viteve të fundit, Shqipëria ka nivelin më të ulët të akcizës në rajon dhe hapësira për rritje të mëtejshme mbetet edhe në kuadër të politikave për frenimin e duhanpirjes.
10 miliardë lekë nga rritja ekonomike
Pavarësisht se, ekonomia e vendit është mes stanjacionit dhe rimëkëmbjes së zbehtë, vitin që vjen qeveria ka parashikuar një rritje ambicioze prej 3.3%. Kjo vlerë është gati dy herë më e lartë se sa mesatarja e rritjes së dy viteve të fundit, por ende e ulët po të marrim në konsideratë potencialet e ekonomisë sonë ende të pamaturuar në shumë sektorë. Rritja e ekonomisë me 3.3% përkthehet në shtim të prodhimit me rreth 40 miliardë lekë. Duke qenë se, grumbullimi i taksave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është në nivelet e 24%, taksat shtesë nga rritja ekonomike nuk janë më shumë se 8-9 miliardë lekë. Por edhe kjo shumë nuk është e garantuar plotësisht, pasi vitet e fundit, për shkak të krizës ekonomike, por edhe faktorëve të brendshëm, rritja ekonomie ka shënuar diferenca të mëdha ndërmjet asaj që është parashikuar dhe realizimit. Këtë vit, rritja ekonomike është parashikuar 2.1%, por shifrat e gjashtëmujorit të parë flasin për një rritje, jo më shumë se 0.5%.
Tradita ka treguar se, rritja e ekonomike nuk ka prodhuar gjithmonë të njëjtat ritme të ardhurash në favor të buxhetit. Në vitet 2000-2010, ekonomia është rritur mesatarisht me 6% në vit, ndërsa të ardhurat në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto kanë ngelur në nivelin e 24%. Në këtë aspekt, Shqipëria mbetet vendi me aftësinë më të dobët të grumbullimit të taksave në rajon, pasi mesatarja e këtyre vendeve është mbi 35%. Në terma shumë të përgjithshëm, totali i të ardhurave në buxhet, ka kaluar nga 33.5 miliardë lekë në vitin 1993 në 325 miliardë lekë në vitin 2012, me një rritje 10 herë. Po të bëjmë një ndarje në tre grupe: ndihmat, të ardhurat tatimore dhe jotatimore, ndihmat rezultojnë në 2013 në të njëjtin nivel me 1993, por me ulje të ndjeshme kundrejt viteve 1998-2001; të ardhurat tatimore kanë rritje 13 herë dhe të ardhurat jotatimore rritje 5 herë ndaj 1993. Në raport me PBB, në vitin 1996, Shqipëria mblidhte 15.1 lekë për çdo 100 lekë produkt të brendshëm, ndërsa në 2012-n, ky indikator ishte në nivelin 24.5. Ecuria në vite tregohet më qartë në grafikun më poshtë.
3.5 miliardë lekë më shumë nga ndihmat
Dy vitet e fundit, të ardhurat nga ndihmat e kanë rritur peshën në buxhet, për shkak se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë shtuar mbështetjen buxhetore. Këtë vit, të ardhurat nga ndihmat janë programuar në 8.5 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2015, këto të ardhura janë programuar të arrijnë në 12 miliardë lekë. Të ardhurat nga ky zë janë shtuar qysh këtë vit, pas rikthimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në një marrëveshje më të ngushtë. Nga ana tjetër, Banka Botërore ka shtuar financimet këtë vit dhe pritet të nënshkruajë një marrëveshje të re trevjeçare me Shqipërinë. Për rrjedhojë, të ardhurat nga ndihmat do të zënë një peshë në rritje në periudhën afatmesme.
20 miliardë lekë nga informaliteti
Nga 45 miliardë lekë që do të mblidhen më tepër në 2015, 20 miliardë lekë do të vijnë si rezultat i luftës ndaj informalitetit, 20 miliardë lekë janë rreth 1,7% e PBB dhe në kushtet kur ekonomia jonë ka ende hapësira të mëdha, shuma e planifikuar nuk duket e vështirë për t’u realizuar. Por rezultatet ndër vite nuk kanë qenë kaq optimiste sa edhe parashikimi i Ministrisë së Financave. Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, vetëm në Tatimin mbi Fitimin dhe TVSH, informaliteti i kalon edhe 50%. Për çdo 1% të normës së tatimit të TVSH, administrata tatimore mbledh TVSH vetëm 53% të konsumit të përgjithshëm, duke lënë 47% të pataksuar. Akoma më e rëndë paraqitet situata në tatimin e të ardhurave personale, ku vetëm 6% e bazës së PBB-së tatohet më të vërtetë. Pas kësaj analize, Banka Botërore sugjeron se, në Shqipëri ka ende një hapësirë në 15% të PBB-së në administrimin fiskal. Shqipëria mbledh aktualisht 40% të ardhura më pak se vendet e tjera të rajonit në raport me PBB-në.
Të ardhurat sipas taksave dhe tatimeve
Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015 është parashikuar në nivelin rreth 414.4 miliardë lekë ose rreth 27.8% e PBB, me një rritje në terma nominalë prej 49.7 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014. Sipas zërave kryesorë të të ardhurave, të ardhurat tatimore rriten me rreth 42 miliardë lekë, duke kapur nivelin 377.1 miliardë lekë ose 25.3% të PBB, nga 335 miliardë lekë ose 24% e PBB që ishin në buxhetin fillestar 2014. Nga këto, të ardhurat nga tatimet dhe doganat rriten me rreth 34.2 miliardë lekë, duke kapur nivelin 294.7 miliardë lekë, nga 260.5 miliardë lekë të buxhetit fillestar 2014. Kjo rritje i dedikohet kryesisht Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, që, për vitin 2015, parashikohet në nivelin 135.3 miliardë lekë ose rreth 16.9 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar 2014. Të ardhurat nga pushteti vendor parashikohen me një rritje në masën 2.9 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar 2014, duke kapur kësisoj nivelin 13.6 miliardë lekë ose 0.9% të PBB në vitin 2015. Kjo rritje i dedikohet kryesisht vjeljes së të ardhurave nga taksat vendore, të cilat, për vitin 2015, paraqiten me një rritje në masën 2.1 miliardë lekë, duke kapur nivelin 8 miliardë lekë, nga 5.9 miliardë lekë në buxhetin fillestar 2014. Të ardhurat nga fondet speciale, për vitin 2015, parashikohet të rriten në nivelin 68.8 miliardë lekë, nga 63.8 miliardë lekë në buxhetin fillestar 2014, me një rritje nominale prej rreth 5 miliardë lekësh, e cila i dedikohet kryesisht rritjes së të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore, të cilat parashikohen rreth 4.9 miliardë më shumë se në buxhetin fillestar 2014. Të ardhurat jotatimore për vitin 2015 parashikohen në nivelin 25.4 miliardë lekë, nga 21.2 miliardë lekë që ishte në buxhetin fillestar 2014. Ky zë paraqitet me një rritje në masën 4.2 miliardë lekë, e cila është kryesisht rezultante e rritjes së të ardhurave nga institucionet buxhetore në masën 1.8 miliardë lekë dhe, nga ana tjetër, uljes së ndjeshme me rreth 1.4 miliardë lekë të zërit “Transferta e fitimit nga Banka e Shqipërisë”. Rritja e dividentit që parashikohet të derdhet nga ndërmarrjet me kapital shtetëror në buxhetin e shtetit është programuar 211 milionë lekë më shumë. Rritja e zërit “Të ardhura të tjera jotatimore”, vjen si pasojë e rinovimit të frekuencës së akorduar për kompaninë AMC, si dhe shitja e frekuencave të reja për operatorë të telefonisë celulare. Parashikimi në ulje i transfertës së fitimit nga Banka e Shqipërisë, argumentohet nga ky institucion me uljen e konsiderueshme të normave të interesit, si dhe me transferimin e parakohshëm të një pjese të fitimit të vitit 2014, në buxhetin e vitit 2014. Gjithsesi, mbetet shqetësues edhe parashikimi i vitit 2016 (37.2 milionë lekë) dhe i vitit 2017 (842 milionë lekë) për këtë zë nga Banka e Shqipërisë, parashikime të cilat janë nën nivelin e pritshëm të këtij zëri për këtë periudhë në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal 2015-2017, si dhe mbi 10 herë nën mesataren prej rreth 5.2 miliardë lekësh të realizuar në periudhën 2011-2013.
Ecuria e të ardhurave nga 1993-1998
Të ardhurat nga taksat në periudhën fillestare tranzitore në Shqipëri ashtu si në të gjitha vendet në tranzicion kanë rënë dukshëm. Në këtë periudhë, reforma tatimore ishte e pakompletuar dhe përgjithësisht jo e shoqëruar me reformën e duhur administrative, prandaj dhe të ardhurat, veçanërisht ato tatimore, performuan, jo mirë në të ardhurat në raport me PBB. Në fillim të periudhës transitore, 1992-1995, performanca e të ardhurave nga taksat ishte në nivel të kënaqshëm për situatën, 20,5%, 19%, dhe 24% ndaj PBB, dhe ndryshimi nga mesatarja e vendeve në tranzicion respektivisht për vitet 1993, 1994 dhe 1995 ishte në trend rënës -13,%, -12,% dhe -6,1%. Në vitet 1996 dhe 1997, për shkak të pështjellimit ekonomik dhe social që pasoi lulëzimin dhe rënien e skemave financiare piramidale, të ardhurat tatimore patën rënie në raport me PBB, ndërkohë që vetë Prodhimi i Brendshëm Bruto pati një rritje nominale negative prej rreth 0.06%. Në këtë periudhë pati disa faktorë vendimtarë që influencuan performancën e të ardhurave, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet në tranzicion. Së pari, historia dhe pika e fillimit, influencuan dukshëm në procesin e reformës së taksave. Vëmë në dukje se Shqipëria e pati pikën e fillimit nga zero. Së dyti, vendet të cilat që në fillimet e tranzicionit kanë performuar më mirë me të ardhurat, e kanë ruajtur këtë trend edhe në periudhat në vijim. Në të kundërt, vendet e tjera, të cilat kanë performuar më dobët se të parët, kanë vijuar të mbajnë diferencat me këto vende. Kjo për shumë faktorë, ku kryesorë janë diferencat në nivelet e taksimit, kultura e dobët e administratës tatimore dhe taksapaguesve, si dhe prirjet më të theksuara për evazion nga taksat, të nxitura edhe nga ambienti institucional dhe ligjor. Eksperienca ka treguar se reformat efektive të taksave nuk mund të përmbushen të izoluara nga aftësitë e sistemit të administratës së taksave dhe kultura e taksapaguesve. Në një analizë që Ministria e Financave ka bërë për politikën fiskale të kësaj periudhe mësohet se gabimi tjetër i vendimmarrjes me këtë periudhë ishte fokusimi te modernizimi i politikave të taksave, duke i kaluar çështjet e administratës dhe pajtimit vullnetar të taksapaguesve në plan të dytë. Në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të tjera në tranzicion, u favorizuan qëndrime ndërhyrëse duke siguruar •regjime speciale (përjashtime dhe lehtësira nga taksat, apo tax-holidays), të cilat në kthim, e bënin më të lehtë evazionin fiskal, deformimet, abuzimet, duke rritur kostot administrative dhe ndarjen jo të drejtë të barrës tatimore midis taksapaguesve. Për të qenë efektive dhe e suksesshme, reforma e taksave është e nevojshme të shoqërohet me reforma institucionale dhe strukturore në të gjithë ekonominë. Ato vende në tranzicion, që kanë lëvizur më shpejt për të ristrukturuar ekonominë e tyre dhe institucionet, gjithashtu edhe fiskalisht, kanë përparuar më mirë (Çeki, Estoni, Hungari, Poloni dhe Slloveni). Në veçanti, reformat institucionale në fusha komplementare me reformën fiskale të tilla si sistemet kontabël dhe detyrimet e ligjeve të falimentit janë vërtetuar si vendimtare.
Të ardhurat 1999-2008
Më përfundimin e periudhës së destabilizimit të shkaktuar nga rënia e skemave piramidale, të ardhurat tatimore në përqindje të PBB patën një trend rritës në vitet në vazhdim, me rritje më të theksuar deri në vitin 2008, kur të ardhurat tatimore ndaj PBB arritën në 24.3% dhe më pas përqindja nga PBB u stabilizua. Ministria e Financave në analizën e saj pranon se, rritja mesatare vjetore e të ardhurave deri në 2008 ka qenë në nivelin e konsiderueshëm 18%. Ky nivel tejkalon në masë të konsiderueshme rritjen nominale të PBB, çka do të thotë që në të ardhurat e mbledhura ka luajtur rol të rëndësishëm faktori i administrimit fiskal. I rëndësishëm është edhe indikatori të ardhurave ndaj PBB. Ky indikator tregon rritje të vazhdueshme gjatë periudhës në fjalë, veçanërisht për zërin “të ardhura nga Tatime dhe Dogana”. Rritja e raportit të ardhura/PBB reflekton zhvillimet në ekonomi, me kalimin gradual nga zona jomonetare në zonën informale dhe nga zona informale në atë formale. Me rritjen relative të ekonomisë formale ndaj asaj joformale, rritet dhe kontributi në të ardhura për çdo njësi PBB. Në totalin e të ardhurave tatimore, në këtë periudhë zhvillime të rëndësishme ka pasur për sa u takon tatimeve të veçanta. Me shfuqizimin e tatimit mbi qarkullimin dhe zëvendësimin e tij me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, në vitin 1996, TVSH u bë burimi kryesor dhe më i qëndrueshëm i të ardhurave në sistemin tatimor shqiptar. Sistemi i TVSH-së në legjislacionin fiskal shqiptar është hartuar në mënyrë të admirueshme: ai është i thjeshtë, me bazë të gjerë, përmban një shkallë tarifore standarde prej 20% dhe ka një prag përjashtimi të arsyeshëm, tipik për vendet në zhvillim. Rritja mesatare vjetore e të ardhurave nga TVSH ka qenë për periudhën rreth 14%. Në këtë periudhë të ardhurat nga tatimfitimi dhe të ardhurat personale u rritën në vlerë absolute dhe në përqindje të totalit në strukturën e të ardhurave, duke reflektuar zhvillimet pozitive ekonomike, përmirësimin e klimës së investimeve dhe politikat e zhvillimit të sektorit privat. Politika më e rëndësishme tatimore e kësaj periudhe për taksimin direkt ishte vendosja e taksës së sheshtë në vitin 2007, për taksimin individual dhe për fitimin e kompanive. Ndryshimi i strukturës dhe nivelit të tatimit u shoqërua me masa administrative që ndikuan në rritjen e ndjeshme të të ardhurave nga ky tatim. Në mënyrë të veçantë, taksa e sheshtë për taksimin e individëve ndikoi në thjeshtimin e administrimit të sistemit dhe rritjes së bazës së taksueshme. Tatimi mbi të ardhurat personale ka qenë një nga taksat më të goditura nga evazioni fiskal në Shqipëri. Reforma ndryshoi në thelb strukturën e kësaj takse, duke zëvendësuar shkallët progresive të taksimit me një shkallë unike, për të gjitha llojet e të ardhurave personale, prej 10%. Rritja mesatare vjetore e të ardhurave nga TAP për periudhën në fjalë ka qenë në nivelin 42%. Në kontekstin e taksimit të të ardhurave nga ushtrimi i biznesit, përgjysmimi i tatimfitimit la në dispozicion të sipërmarrësve një nivel likuiditetesh të vlerësuar në rreth 72.5 miliardë lekë (llogaritur në harkun kohor 2008-2011). Për vitin 2008, të ardhurat nga tatimfitimi përbëjnë 2.2% të PBB nga 1.1% që ishin në vitin 1998. Shfuqizimi gradual i përjashtimeve dhe lehtësirave nga tatimfitimi ka thjeshtuar sistemin, e ka bërë më transparent dhe ka reduktuar hapësirat për evazion. Politikat e lehtësirave dhe përjashtimeve janë zëvendësuar me atë të uljes së vazhdueshme të taksave për biznesin. Norma statutore e tatimfitimit është ulur në vite, nga 30% në 1999 (pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 8438, 28.12.1998), në 20% në 2007 dhe 10% që nga janari i 2008-s dhe që nga ky vit, ky tatim është në nivelin 15%. Për sa i takon nivelit të mbledhjes, rritja mesatare vjetore për periudhën 1999-2008 ka qenë rreth 16.5%. Nga ana tjetër, të ardhurat nga tarifat doganore pësuan ulje të ndjeshme, si pasojë e politikave të liberalizimit të tregtisë të aplikuara nga Shqipëria. Rritje të vazhdueshme kanë pasur dhe të ardhurat nga akciza, nga niveli i ulët i vitit 1997, si rezultat i përmirësimeve në kuadrin ligjor dhe administrim. Legjislacioni për akcizat në vendin tonë ka qenë objekt i ndryshimeve të shpeshta. Nivelet e akcizës në Shqipëri kanë pasur rritje të vazhdueshme, ashtu si dhe gama e produkteve dhe mallrave që i nënshtrohen kësaj takse. Për këtë periudhë, Shqipëria ka pasur rritje të qëndrueshme të të ardhurave nga akciza në përqindje të PBB. Rritja mesatare për periudhën në fjalë është 21.5%. Ashtu si tatimi mbi të ardhurat personale, hallkë tjetër e dobët e sistemit tatimor kanë qenë kontributet e sigurimeve shoqërore. Megjithatë, përgjatë viteve, sistemi i sigurimit shoqëror ka qenë në qendër të reformave, si për sa i përket barrës së tatimit ashtu dhe pajtueshmërisë së kontribuuesve dhe administrimit të tyre. Në dhjetor 2002, qeveria shqiptare vendosi transferimin dhe unifikimin e mbledhjes së kontributeve tek administrata tatimore. Ky proces zgjati disa vite. Administrimi dhe mbledhja e kontributeve lidhet ngushtë dhe me rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Duke i konsideruar kontributet në aspektin e “kostos së punës”, politika ka qenë ajo e uljes së vazhdueshme të normës kontribuuese të punëdhënësit, duke u kujdesur që kjo të mos ndikojë negativisht në të ardhurat e mbledhura, por të kundërbalancohet nga rritja e deklarimeve dhe numrit të personave në skemë. Rritja mesatare vjetore e kontributeve të mbledhura për periudhën në fjalë ka qenë rreth 11.7%.
Të ardhurat 2009-2013
2009-a ishte viti i parë i ndikimit të krizës globale ekonomiko-financiare në ekonominë shqiptare, edhe pse me efekt më pak të ndjeshëm se në rajon. Ngadalësimi i ritmit të rritjes ekonomike u reflektua në aftësinë kontribuuese në taksa dhe tatime të individëve dhe bizneseve, si në aspektin e taksimit direkt (të të ardhurave) ashtu dhe në atë të taksimit indirekt, nëpërmjet uljes së konsumit të mallrave dhe shërbimeve. Gjatë periudhës 2009-2012, rritja mesatare vjetore e të ardhurave nga tatimet dhe doganat ka qenë 3.2% në baza vjetore. Në raport me PBB, të ardhurat totale arritën në 24.5%, niveli më i ulët që nga viti 1998. Zërat më të rëndësishëm të tatimeve janë rritur me ritme mjaft të ngadalta gjatë periudhës 2009-2012, ndërsa në 2012-n, të ardhurat nga TVSH, akciza dhe taksimi direkt pësuan rënie krahasuar me një vit më parë. Për sa u takon politikave, edhe gjatë periudhës së fundit, reforma në fushën tatimore ka vijuar, dhe pritet që ndryshimet e bëra të ushtrojnë ndikimin e tyre në vitet në vijim. Përmendim këtu: reformimin e akcizës që përfshin përafrimin e legjislacionit me BE-në dhe kalimin e administrimit të saj tek administrata doganore; reformimin e TVSH, me draftimin e ligjit të ri në përputhje me Acquis.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.