Bizneset shqiptare do të mund të përfitojnë deri në 1 milionë lekë subvencion të drejtpërdrejtë secili nga Agjencia e Nxitjes së Investimeve të Huaja (AIDA) për të qenë më konkurrues në tregun vendas dhe atë të jashtëm.
Këshilli i MInistrave ka vendosur në mbledhjen e fundit për krijimin e Fondit Shqiptar të Konkurrueshmërisë, për vitin 2013, me vlerë prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh.
Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë u jep ndihmë, në formë subvencioni të drejtpërdrejtë, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, deri në 1 000 000 (një milion) lekë, por në asnjë rast më shumë se 50 për qind të vlerës së kostove të pranueshme. Në kostot e pranueshme, që mund të bashkëfinancohen, përfshihen kostot për:
-investime, të prekshme dhe të paprekshme, në formën e përmirësimeve teknologjike, për përshtatje produkti, përfshirë ambalazhimin dhe etiketimin, certifikim produkti, vlerësim konformiteti dhe zbatim të sistemeve të cilësisë;
-shërbime këshillimore, në formën e studimeve të tregut dhe të trajnimeve;
-pjesëmarrje, për herë të parë, në një panair ose ekspozitë jashtë shtetit, si vizitor apo ekspozues.
Përfitojnë nga Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë ndërmarrjet, e vogla dhe të mesme, që plotësojnë, veçanërisht, kushtet e mëposhtme:
-Prodhojnë produkte ose ofrojnë shërbime, që tregtohen apo që mund të tregtohen në nivel ndërkombëtar dhe që, gjatë procesit, i japin një vlerë të shtuar, të konsiderueshme produktit përfundimtar;
-Kanë një strategji dhe plan marketingu për zgjerimin e eksporteve;
-Janë në gjendje të financojnë 100 për qind të gjitha kostot e projektit, të propozuara para përfundimit të tij.
-Pagesa e subvencionit të bëhet në fund të projektit, kundrejt faturës së shpenzimeve të kryera.
Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë të zbatohet për një periudhë 3-vjeçare, gjatë viteve 2013, 2014 dhe 2015, me një vlerë prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh, për secilin vit.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) është përgjegjëse për menaxhimin e Fondit Shqiptar të Konkurrueshmërisë.
Procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit Shqiptar të Konkurrueshmërisë, e cila miratohet nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.