Wednesday / September 11 / 2024
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Editoriali Monitor

#10YearChallenge, një meme për ekonominë

Share Share Icon

#10YearChallenge është slogani më viral i ditëve të fundit në rrjetet sociale, ku njerëzit tregojnë me fotografi si ishin para 10 vjetësh dhe si janë tani.

Në Shqipëri dominojnë VIP-at me postime fotografish, që demonstrojnë dhunshëm se sa “të bukur” dhe “të pasur” janë bërë gjatë këtyre 10 vjetëve. Për politikanët shqiptarë, kanë menduar qytetarët e thjeshtë.

Në memet ironike që qarkullojnë në rrjetet sociale, ata ishin të dalë mode, të varfër, të thjeshtë. Pas një dekade, në imazhet e tyre dominojnë bizhutë, moda, pra pasuria e dukshme dhe sfi duese për të gjithë të tjerët. Mesazhi i njerëzve të thjeshtë me këto biografi memesh është i dukshëm: në pamundësi për të qarë për varfërinë e tyre, shqiptarët po bëjnë sarkazëm me pasurinë e pushtetit, duke treguar qartazi se ata janë aty pikërisht për të treguar atë çka duket qartë me fare pak foto dhe pak për t’ju shërbyer qytetarëve.

Duke ndjekur të njëjtin trend viral, edhe ne menduam të bëjmë një meme për shqiptarët e thjeshtë, përmes shifrave, si kanë qenë para 10 vjetësh dhe si janë tani. Është një meme që politikanët nuk guxojnë ta bëjnë, sepse ato janë pasqyra ku ata do të shikojnë se sa pak kanë bërë për ne dhe sa shumë për vete. Le të fillojmë me pasuritë e shqiptarëve.

10 vjet më parë, në vitin 2008, paga minimale e një qytetari ishte 17 mijë lekë. Në 2018-n, ishte 24 mijë lekë dhe që nga janari është bërë 26 mijë lekë. Një rritje mesatare për çdo vit, vetëm 700 lekë!

10 vite më parë, konsumi mesatar i një familje ishte 69 mijë lekë në muaj. Në memen e 2017-s, kjo familje s’ka shumë për të treguar, vetëm 73 400 lekë në muaj, pra vetëm 440 lekë shtesë në konsumin mujor për çdo vit që kaloi.

Të ardhurat për frymë ishin 25% e mesatares europiane në 2008, e fundit në Europë, së bashku me Bosnjë Hercegovinën. Ky tregues është përmirësuar me vetëm 5 pikë përqindje në 2017-n (30% e mesatares europiane), duke qenë sërisht në fund të Europës dhe na e ka kaluar edhe Bosnjë Hercegovina, një shtet problematik me dy entitete në konflikt me njëra tjetrën.

Ishte vetëm 10% tatimi mbi të ardhurat personale 10 vite më parë. Tani është i përshkallëzuar nga deri në 23% për pagat mbi 150 mijë lekë.

Rritja jonë ekonomike ka qenë 7.5% në vitin 2008, por në 2018 parashikohet sa gjysma e këtij rezultati, rreth 4.2%.

Borxhi publik ishte 54.6% e PBB-së në 2008. Pas 10 vjetësh, është 69.1% dhe ndoshta më i lartë, për shkak të detyrimeve buxhetore “të fshehura” për koncesionet, që mund ta çojnë edhe mbi 80% të PBB-së.

Për të mos i pasur më në kujtesë këto fotografi të dekadës, shqiptarët e pakënaqur po ikin në heshtje. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë periudhës 2011-2017 kanë ikur mbi 300 mijë persona, sa një qytet i tërë me madhësinë e Durrësit ose Fierit .

Ne vazhdojmë të mbetemi ndër vendet me treguesit më të ulët se rajoni për taksat, arsimimin, shëndetin, përparimet shkencore etj.

Duke kërkuar se çfarë kishim shkruar në editorial ekzaktësisht në të njëjtën kohë rreth 10 vite më parë, pamë se problemi shqetësues mbetej sërish rritja ekonomike. Fatkeqësisht, pas një dekade, kemi të njëjtin shqetësim, por me më shumë pesimizëm brenda: që puna e shqiptarëve nuk po jep shpërblim, ironia e kësaj meme është që “varfëria është stabilizuar” dhe se pasuria e shtuar ka shëndoshur vetëm pushtetin.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu Falas!