Sipas të gjithë skenarëve, borxhi publik në vitin 2018 nuk do të jetë më i ulët se 72% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), por nëse kriza energjetike vijon të ndikojë arkën e shtetit njësoj si tani, atëherë niveli i detyrimeve do të kalojë 84% e PBB-së. Parandalimi i një krize akute nga borxhi i lartë vështirësohet në kushtet e Shqipërisë, për shkak se mbulesa fiskale është gërryer tashmë
Blerina Hoxha
As skenari më i zymtë në mendjen e çdo eksperti nuk e parashikonte vitin që shkoi që borxhi i vendit të shkonte drejt shfrenimit. Për shumë arsye bashkë, që lidhen me faturat e pashlyera të qeverisë së kaluar, me rënien e të ardhurave buxhetore dhe me impaktin negativ të garancive ndaj kompanive të energjisë, borxhi i publik aktualisht vërtitet rreth 70% të PBB, me një rritje me gati 10 pikë përqindjeje në dy vitet e fundit. Por a do të ndalë me kaq. Banka Botërore, në një analizë që u ka bërë zhvillimeve të këtij treguesi, parashikon që në rastin më të mirë në periudhën afatmesme deri më 2018-n, borxhi publik do të qëndrojë në nivelet 72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe në rastin më keq, nëse nuk do të parandalohen goditjet që vijnë nga sektori i energjisë, niveli pritet të arrijë në 84% të PBB-së pas tre vitesh.
Sipas skenarit bazë, duke marrë në konsideratë reformat politike, borxhi publik ndaj PBB-së së Shqipërisë është parashikuar të arrijë 73.5% në vitin 2015 dhe të qëndrojë mbi 72% në periudhën afatmesme. Në vitin 2018, borxhi pritet të rritet në 76.2%, në qoftë se, deficiti buxhetor qëndron në nivelin konstant 2.4% gjatë periudhës, ndërsa rritja e mëtejshme e borxhit shkon në 81.5%, nëse rritja reale e PBB-së është 1 pikë përqindje më e ulët se parashikimet.
Skenari pa reforma parashikon që borxhi të kapërcejë në 84.5% në vitin 2018, nëse përfshihen detyrimet dhe garancitë e sektorit të energjisë.
Skenari që çon borxhin në 81% të PBB
Treguesit e barrës së borxhit publik të Shqipërisë do të përkeqësohen në mënyrë të konsiderueshme, në qoftë se ka tronditje negative të deficitit primar, në rritjen ekonomike, në kursin e këmbimit dhe në normat e interesit. Një ekspertizë e hollësishme e Bankës Botërore vlerëson se, më 2018, borxhi ndaj PBB-së është parashikuar të arrijë në 76% në qoftë se, deficiti buxhetor mbetet konstant në nivelin 2.4% gjatë gjithë periudhës së parashikimit. Por, në qoftë se rritja reale e PBB është 1 pikë përqindje më e ulët se parashikimi, niveli i borxhit do të kalojë 81%.
Qeveria shqiptare mbështet Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH) me kredi, garancitë dhe subvencione. Hendeku që duhet të mbulohet me import financohet nga kreditë tregtare, të cilat janë të zgjatura shpesh me garanci qeveritare. Si ato të pranverës së 2013-s, kur garancitë qeveritare ndaj KESH arritën në 29 miliardë lekë, rreth 2.2% të PBB-së. KESH ka përfituar edhe në të kaluarën likuiditete në formën e kredive direkte nga qeveria. Nga ana tjetër, sektori i energjisë elektrike përballet me një hendek pasiv të kushtëzuar financiar, i cili, me kalimin e kohës, mund të shtojë në mënyrë të konsiderueshme borxhin publik të Shqipërisë, raporton Banka Botërore. Importet e energjisë janë parashikuar të rriten nga rreth 200 GWh këtë vit, për kjo rritje mund të shkojë në 2000 GWh në vitin 2020. Çmimi i importit llogaritet në 60 euro për megavat/orë. Kështu, shpenzimet për të mbuluar këto importe do të jenë rreth 17-20 miliardë lekë ose 1,3-1,5% e PBB-së në vit, nëse tarifat me pakicë nuk ndryshojnë. Si rezultat i kësaj situate, borxhi publik ndaj PBB-së do të arrijë në 84.4% në 2018, në krahasim me 76.3% që do të ishte pa hendekun energjetik.
Skenari normal
Skenari bazë supozon se nuk do të ketë reforma të mëdha strukturore. Me këtë ecuri, sipas raportit të BB-së, rritja reale e PBB-së në periudhën afatmesme, pritet të jetë 1.6% deri në vitin 2015 dhe rreth 3% pas vitit 2016. Kjo normë, edhe pse nën mesataren 10-vjeçare prej 4.6% të Shqipërisë, është e afërt me mesataren e pesëvjeçarit të fundit prej 3.7%. Kërkesa e brendshme do të mbetet e dobët në periudhën afatmesme kryesisht për shkak të konsumit privat në depresion, kredive në rënie dhe shpenzimeve të reduktuara qeveritare. Por, pastrimi i borxheve të prapambetura nga buxheti i shtetit mes 2014-2016, pritet të mbështesë rritjen ekonomike përmes përmirësimit të likuiditetit në sektorin privat. Por duhet thënë se, me gjithë nisjen e shlyerjes, ky efekt nuk është transmetuar pozitivisht në ekonomi. Nga ana tjetër, industritë nxjerrëse, bujqësia dhe shërbimet parashikohet të rriten në afatin e mesëm, por me një kërkesë të dobët dhe me një rimëkëmbje graduale në Eurozonë, rritja ka gjasa të mbetet modeste në 2-3% deri në vitin 2017. Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore pritet të mbeten në 24.6% të Prodhimit të Brendshëm në afat të mesëm. Qeveria e mëparshme ka zbatuar disa reforma në taksa vitet e fundit, të tilla si futja e taksës së sheshtë mbi të ardhurat personale dhe ulja e tatimit mbi të ardhurat e korporatave në 2008-n në 10% (që u rrit sërish në 15% në 2014-n), dhe në 2012 dhe 2013 disa reduktime të taksave, për shembull, një ulje e TVSH për makineritë dhe një reduktim të tatimit mbi të ardhurat personale për pagat e vogla. Ligji për tatimin kombëtar është ndryshuar në gusht 2011, duke hequr taksën doganore, importin për makinat e përdorura, si dhe taksën e shitjes brenda vendit. Të ardhurat e Shqipërisë janë 25.3% në raport me PBB-në në vitin 2012, niveli më i ulët në mesin e vendeve të Europës Juglindore. Raporti i të ardhurave ka rënë më tej në 23.7% në vitin 2013, për shkak të ndryshimeve të bëra në tatime atë vit.
Me kthimin e taksës së sheshtë në progresive dhe disa rregullime fiskale që pritet të bëhen në afat të mesëm, raporti i të ardhurave në raport me PBB ka potencial për të arritur në 24.6%, nëse qeveria bën përpjekje për të forcuar administratën tatimore, parashikon BB. Shpenzimet kapitale, duke përfshirë mirëmbajtjen, pritet që të qëndrojnë në rreth 5% të PBB-së deri në vitin 2019. Kjo është dukshëm nën mesatare 10-vjeçare historike prej 6%. Mbajtja e shpenzimeve kapitale në këtë nivel do të jetë thelbësore, në qoftë se Shqipëria do të realizojë reformat afatmesme të saj. Që të arrihet ky objektiv, Banka Botërore sugjeron se, duhet një vëmendje edhe më e madhe ndaj investimeve në mirëmbajtjen e investimeve të përfunduara tashmë.
Ky skenar supozon se sistemi i pensioneve shqiptare do të vazhdojë të jetë në deficit. Deficiti i pensioneve është parashikuar të arrijë në 2.9% të PBB-së në 2025-n. Programe të tjera sociale në mbështetje të të moshuarve do të rrisin më tej barrën e borxhit, ndonëse parashikimet shmangin rritjen e mëtejshme të pensioneve.
Me këto supozime, borxhi publik ndaj PBB-së së Shqipërisë parashikohet të arrijë në 73.5% në vitin 2015 dhe të qëndrojë mbi 72% në një periudhë afatmesme.
Në vitin 2015, nevojat financiare mbeten të larta, për shkak të shlyerjes së plotë të eurobondit. Në përgjithësi, borxhi në valutë të huaj është parashikuar të vazhdojë në rreth 43% të borxhit të përgjithshëm të qeverisë në përputhje me Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit. Mbështetja në borxhin e brendshëm afatshkurtër pritet të bjerë.
Borxhi i Shqipërisë, shumë i lartë
Historia është e mbushur me kriza të borxhit publik. Shumë nga vendet e sotme me të ardhura të larta i kanë përjetuar kriza të tilla. Por, në kundërshtim me perceptimin e përhapur, probabiliteti i një krize që vjen nga borxhi përcaktohet nga niveli i përgjithshëm i detyrimeve dhe jo vetëm nga borxhi i jashtëm. Historia ka treguar se, kostot ekonomike dhe sociale të këtyre krizave mund të jenë të larta në ato vende ku kostoja e borxhit bëhet e papërballueshme nga PBB e vendit. Ndërsa prova empirike konfirmon se borxhi i lartë publik zvogëlon aktivitetin ekonomik dhe në mënyrë të konsiderueshme, nga ana tjetër nuk ka ende një përfundim për atë se sa duhet të jetë niveli i borxhit publik. Ajo që mund thuhet me saktësi është borxhi zero.
Nuk ekzistojnë prova empirike se, sa më i lartë të jetë niveli i borxhit të një vendi, më e ulët do të jetë cilësia e politikave dhe institucioneve të saj. Megjithatë, analiza empirike e tregjeve në zhvillim ka treguar se, vendet mund të hyjnë në krizën e borxheve, edhe kur borxhi është çuditërisht sa 55% e PBB dhe kjo ndodh në vendet me të ardhura mesatare, grup ku bën pjesë edhe Shqipëria. Faktorët ekonomikë globalë, si çmimet e mallrave dhe të normave të interesit kanë rol të madh në përshpejtimin e krizave të borxheve sovrane.
Nëse pjesa më e madhe e borxhit publik është e shprehur në monedhë të huaj, amortizimi mund të ngrejë menjëherë dhe në mënyrë të konsiderueshme barrën e borxhit, veçanërisht nga zhvlerësimi i monedhës apo besimi i tregut, e cila përkeqëson dinamikën e borxhit. Kursi i këmbimit i Shqipërisë ka qenë mjaft i qëndrueshëm që prej 2009-s. Shqipëria ka rritur në mënyrë të konsiderueshme borxhin e jashtëm në valutë në vitet e fundit, nga 32.7% në 2008 në 42,3% në vitin 2013. Një ambient i jashtëm i vështirë mund t’i zvogëlojë Shqipërisë pjesën e eksportit dhe moti i thatë mund të rrisë kostot e importit të energjisë duke vënë kursin e këmbimit nën presion. Shqipëria është e ekspozuar shumë ndaj rreziqeve të normës së interesit. Për shkak se rreth 72% e borxhit të saj të brendshëm ka norma të ndryshueshme të interesit. Ekspozimi ndaj rrezikut të normës së interesit është gjithashtu një shqetësim, sepse ka një probabilitet të lartë që normat globale të rriten, pasi tani është në nivelin më të ulët historik. Portofoli aktual i borxhit të Shqipërisë është i ekspozuar edhe ndaj rrezikut të rifinancimit të brendshëm, sidomos duke pasur parasysh mjedisin e tanishëm të jashtëm të pasigurt. Ndërsa, rreth 32% e borxhit të brendshëm përbëhet nga instrumente të brendshme afatshkurtra në monedhën vendase. Bankat tregtare, mbajtësit kryesorë të borxhit të brendshëm, tashmë e kanë reduktuar ekspozimin e tyre. Sektori bankar shqiptar është i dominuar nga degët e bankave të huaja europiane. Kërkesa për borxhin e qeverisë, në këtë mënyrë, varet nga vendimet e bankave mëmë, të cilat mund të vendosin, siç kanë bërë në të kaluarën, të mos financojnë blerjen e borxhit të qeverisë.
Borxhi i lartë gjithashtu zvogëlon qëllimin për politikat kundërciklike. Kur një qeveri nuk mund të financojë deficitet e saj, ajo është e detyruar të shkurtojë shpenzimet ose të rrisë të ardhurat. Kjo shpesh ndodh kur politika fiskale duhet të ndihmojë në stabilizimin apo të stimulojë ekonominë. Paaftësia për të zbatuar politikat kundërciklike mund të shkaktonte shpenzime të mëdha ekonomike dhe sociale. Çdo vend, në këtë mënyrë, do të jetë i këshilluar që të mbajë disa rezerva fiskale, në veçanti në rrethanat aktuale ekonomike të pasigurta. Por, sakaq, Shqipëria i ka konsumuar këto rezerva edhe sipas një konstatimi të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ndërsa rreziku i shqetësimit të borxhit nuk duket i pashmangshëm, konsolidimi fiskal konsiderohet thelbësor për të parandaluar barrën e borxhit nga rritja e mëtejshme. Ekonomia shqiptare është më pak e paqëndrueshme se ekonomitë e fqinjëve të saj. Megjithatë, rreziqet që vijnë nga rifinancimi i borxhit dhe ekspozimi ndaj normës së interesit dhe kursit të këmbimit janë të rëndësishme.
Si u rrit borxhi
Borxhi ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2007, duke arritur në 61.5% në vitin 2012. Që atëherë, ai ka vazhduar prirjen rritëse. Në vitet 2008 dhe 2009, deficiteve të mëdha të parashikuara në buxhetet vjetore iu shtua edhe një zhvlerësim i lekut në 2009-n. Në vitet 2011 dhe 2012, barra e borxhit nisi e u rrit nga kreditimi i drejtpërdrejtë i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Në fund të vitit 2012, borxhi publik ndaj PBB-së arriti në 62.4%, sipër pragut të Mastrihtit 60% dhe pësoi një rritje të mëtejshme për të shkuar në fund të vitit 2013 në 70.5% të PBB–së. Shqipëria ka tani borxhin më të lartë të PBB-së në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Midis 2012 dhe 2013, borxhi publik është rritur me shpejtësi me rreth 8% të PBB-së, kryesisht për shkak të një rishikimi të PBB-së dhe shpenzimeve zgjedhore. Rreth 5.8% e rritjes së PBB-së të borxhit publik ishte për shkak të një rishikimi të PBB-së që rezultoi, nga një ndryshim metodologjik në trajtimin e subvencioneve të nënkuptuara në sektorin e energjisë. Pjesa tjetër ishte për shkak të deficitit të lartë fiskal prej 6.2% të PBB në vitin 2013 (kundrejt objektivit fillestar të planifikuar prej 3.5% të deficitit) dhe njohjen e borxheve të prapambetura.
Në vitin 2008, ekonomia shqiptare shënoi rritjen më të lartë të PBB gjatë dekadës me 7.5%. Edhe pse ajo u ngadalësua në rreth 3.3% midis 2009 dhe 2011, rritja ishte ende e fortë në krahasim me vendet fqinje, kryesisht për shkak të prodhimit të naftës. Rritja e eksporteve të energjisë elektrike, mineraleve dhe naftës, kompensuan tkurrjen e eksporteve tradicionale, të tilla si tekstilet dhe remitancat, të cilat u ndikuan nga kriza në Greqi dhe Itali. Në vitin 2012, ritmet e rritjes ranë në 1.3%, për shkak se një thatësirë e rëndë goditi vendin në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që konsumi i brendshëm nisi të ulej. Deficiti fiskal i Shqipërisë ka qenë mesatarisht 3.4% midis 2005 dhe 2012, përveçse në vitin 2008 dhe 2009 kur u pa një përkeqësim. Të ardhurat në raport me PBB u rritën nga 24.4% në vitin 2005 në 26.7% në vitin 2008, por kanë rënë që nga viti 2010. Në vitin 2012, ato arritën 24.9%, me një diferencë të ngushtë me nivelin e vitit 2005. Ashtu siç ranë të ardhurat, ranë edhe shpenzimet. Shpenzimet e personelit nga 6.1% në vitin 2008 ranë në 5.2% në vitin 2012. Ndërsa shpenzimet e sigurimeve shoqërore janë rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2000, duke arritur në 7.0% në vitin 2008 dhe pastaj 9.0% në 2012. Në vitin 2012, shpenzimet kapitale ranë në rreth 4.6% të PBB-së, niveli më i ulët në mijëvjeçarin e ri. Shpenzimet operative dhe për mirëmbajtjen ranë gjithashtu. Që nga viti 2008, rreth gjysma e shpenzimeve kapitale janë destinuar për transportin, nga të cilat mbi 95% shkuan për rrugë, duke lënë më pak se 5% për portet dhe më pak se 0,5% për hekurudhën. Shpenzimet për ndërtimin e rrugëve u rritën në vitin 2008 në 5.7% të PBB-së, duke reflektuar investime të mëdha në autostrada. Këto investime ranë më pas më 2010 në 2.7%, në 2.4% në vitin 2011, dhe 1.9% në 2012. Shpenzimet operative ishin mesatarisht 2.6% e PBB-së ndërmjet viteve 2005 dhe 2012, por më pas edhe ky zë ka pësuar rënie. Shqipëria shpenzon shumë pak për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor, duke i bërë më pak efikase këto shpenzime. Nga ana tjetër, sigurimet shoqërore thithin rreth një të tretën e shpenzimeve të përgjithshme publike të Shqipërisë, afërsisht 9% të PBB-së. Rreth 30% e këtyre shpenzimeve janë për sektorin e shëndetësisë dhe një pjesë tjetër për pensionet. Shqipëria ka një popullsi shumë të re, ku vetëm 9.7% e qytetarëve të saj janë mbi 65 vjeç. Në vitin 2010, shpenzimet për pensionet arritën në 6.2% të PBB-së. Në vitet e mëpasshme, sistemi i pensioneve është bërë gjithnjë e më i rëndë. Deficiti në skemën e pensioneve është zgjeruar për shkak të reduktimit në normat e kontributit dhe rritjes së pensioneve nga ana tjetër. Në vitin 2010, deficiti i përgjithshëm fiskal i sistemit të pensioneve ishte gati 2.8% e PBB-së.
Pagesat e interesit të borxhit në raport me PBB-në arritën në 3.1% në vitin 2012. Ndonëse është rritur nga 58.5% të PBB-së në 2011 në 62.4% në vitin 2012, pagesat e interesit u ulën nga 3.4% të PBB-së për 3.1%. Kjo erdhi kryesisht nga ulja e interesit të borxhit të brendshëm. Nga ana tjetër, borxhi i jashtëm i Shqipërisë përbëhet nga kreditë zyrtare shumëpalëshe dhe dypalëshe, huamarrjes bankare dhe një Eurobondi të emetuar në vitin 2009. Deri në fund të vitit 2012, 55% e borxhit të jashtëm u detyrohet kreditorëve shumëpalësh, duke reflektuar faktin se, Shqipëria arriti statusin me të ardhura në vitin 2009. Pjesa e huamarrjes së huaj jokoncesionare është rritur në mënyrë të vazhdueshme, nga më pak se 20% në vitin 2006 në rreth 50% në 2012. Shqipëria mori dy kredi bankare, një në vitin 2007 për 200 milionë euro dhe një tjetër në vitin 2009, 192 milionë euro, e cila është paguar nga Eurobondi i emetuar në vitin 2010. Në vitin 2010, qeveria lëshoi për herë të parë bonon në Euro, e cila kishte një maturim pesëvjeçar dhe një vlerë totale 300 milionë euro. Rrjedhimisht, në vitin 2012, interesat për shlyerjen e borxhit të jashtëm arritën në 0.6% e PBB më 2012 nga 0,2% e PBB që kishin qenë më parë.
Çfarë do të ndodhë
Pa reformat, borxhi ndaj PBB-së së Shqipërisë do të qëndrojë mbi 72% në periudhën afatmesme. Nëse ka goditje anësore, barra e borxhit do të përkeqësohet në mënyrë të konsiderueshme, parashikon Banka Botërore. Në vitin 2018, borxhi në krahasim me PBB-në do të arrijë në 76% në qoftë se, deficiti buxhetor do të jetë konstant prej 2.4% gjatë gjithë periudhës së parashikimit. Nëse detyrimet kontingjente në sektorin e energjisë do të jenë të përfshira, raporti do të arrijë 78% në vitin 2018. Por nëse qeveria vijon të mbështesë sektorin e energjisë gjatë tre viteve në vijim, borxhi pritet të arrijë në 81% të PBB. Nga ana tjetër, Shqipëria duket se e ka gërryer mbulesën e saj fiskale për të përballuar një krizë akute që mund të vijë nga rritja e borxhit. Prandaj, Banka Botërore sugjeron se, është e rëndësishme që qeveria shqiptare të miratojë një program afatmesëm të konsolidimit fiskal që me vendosmëri do të reduktojë borxhin e saj publik dhe për të siguruar qëndrueshmërinë fiskale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.