Kriza ekonomike ka ndalur investimet e kompanive shqiptare jashtë vendit. Më të goditurat rezultojnë firmat e ndërtimit, ndërkohë që bizneset e tregtisë dhe të shërbimeve financiare vijojnë me ecuri pozitive
Nga Laura Çela
Rritja e shpejtë e kompanive gjatë viteve 2004-2007 i nxiti bizneset shqiptare jo vetëm të investonin më shumë brenda vendit, por të rrisnin ndjeshëm edhe investimet në tregjet e huaja. Nuk ishin të paktë sipërmarrësit që nisën dhe zhvilluan projekte në vendet e rajonit e madje edhe në shtete europiane, si Itali, Austri, etj.
Zgjerimi dhe diversifikimi i investimeve, sipas menaxherëve është një nga mënyrat më efikase për të mbrojtur biznesin nga çdo “krizë” e mundshme, që mund të ulë të ardhurat dhe fitimet.
Më shumë aktivet në investime kishin firmat e ndërtimit, që nisën ndërtimin e komplekseve të banimit dhe të hapësirave tregtare. Sipërmarrësit deklaronin për “Monitor” se shtrirja e kapitalit jashtë vendit ishte padyshim një nga zgjedhjet e duhura që kishin bërë, sepse investimet në vendet e huaja, jo vetëm që kishin më pak burokraci nga ana e administratës, por edhe më shumë fitime se në Shqipëri. Planet e mjaft bizneseve ishin për zgjerim të mëtejshëm dhe shtrirje të investimeve edhe në shtete të tjera.
Tashmë që kriza ekonomike globale ka goditur rëndë tregjet europiane, duke shtrirë efektin negativ në të gjitha vendet e rajonit, a kanë vijuar të kenë sipërmarrësit shqiptarë të njëjtën dinamikë investimi, si dhe kthim fitimesh si 4-5 vite më parë.
Të dhënat nga organizata e biznesit, Konfindustria, konfirmojnë se kriza nuk ka lënë pa prekur as kompanitë shqiptare. Më “i godituri” rezulton të jetë sektori i ndërtimit, i cili e ka mjaft të lidhur biznesin me huadhënien e bankave. Kredia hipotekore është ulur ndjeshëm, në kushtet kur bankat kanë shtrënguar kushtet, duke sjellë edhe rënien e fuqisë blerëse të pasurive të patundshme. Kjo ka sjellë efekt negativ, sidomos në vendet e huaja, ku pjesa më e madhe e transaksioneve të shtëpive bëhen përmes kredive bankare.
Stopohen investimet e ndërtimit
Hajredin Fratari, kryetar i Konfindustrisë, tregon për “Monitor” se është detyruar të mbyllë kompaninë e tij të ndërtimit në Itali, të cilën e kishte hapur dhjetë vite më parë.
“Ishte e pamundur që të vazhdoje më tej biznesin në shtetin italian. Për shkak të krizës, jo vetëm që ka rënë fuqia blerëse, por taksat janë rritur ndjeshëm, duke rënduar më shumë në kostot e kompanisë”, thotë Fratari.
Megjithëse prej disa vitesh ai ndërtonte apartamente në Romë, kriza e detyroi t’i jepte fund shtrirjes së investimeve të mëtejshme. Tregon se ka mundur të shesë thuajse të gjithë apartamentet apo shtëpitë dhe se tashmë, biznesi në Itali është “një kapitull i mbyllur”. Rritja e ndjeshme e taksave ishte arsyeja kryesore që detyroi z. Fratari që të mbyllë aktivitetin në shtetin fqinj, në të cilin kriza ekonomike është duke u thelluar.
Por nga të dhënat e Konfindustrisë, kompania e Fratarit nuk është e vetmja që është detyruar të “tërhiqet mbrapsht” në investimet e saj.
“Nga informacionet që kemi nga anëtarët tanë, thuajse të gjitha kompanitë që kanë investuar në tregun e rajonit kanë pasur ecuri negative, duke nisur që nga Bullgaria dhe deri në Maqedoni dhe Mal të Zi”, thotë z. Hajredin Fratari.
Në Bullgari (Sofje), Fatos Pustina ishte ndër të paktët sipërmarrës të ndërtimit, i cili ndërtoi një kompleks të madh banimi. Ecuria deri para goditjes nga kriza ka qenë shumë e mirë, pasi edhe shitjet kanë pasur dinamikë të kënaqshme. Por Konfindustria konfirmon se kompania tashmë është në vështirësi për të shitur apartamentet.
“Në Bullgari, thuajse të gjitha shitjet realizohen përmes kredive të bankave, Në këtë kohë, kur bankat e kanë ulur shumë huanë, kjo situatë është e pashmangshme, prandaj edhe kompania e ka të vështirë të shesë apartamentet”, shpjegojnë drejtuesit e Konfindustrisë.
Të njëjtin “fat” kanë pësuar edhe investimet e disa sipërmarrësve shqiptarë në Maqedoni, sidomos në “zonën shqiptare” të Shkupit. Edhe në Strugë, kompanitë nuk po mundin të shesin dot apartamentet apo dyqanet.
Sipas përfaqësuesve të biznesit, më të konsoliduara rezultojnë ato kompani që janë ngritur nga shqiptarë që jetojnë në shtete e huaja dhe që e njohin mirë ekonominë dhe vendin në tërësi, apo dhe në pak firma që kanë ngritur struktura të plota të menaxhimit.
Por mirë për shërbimet financiare dhe tregtinë
Situata duket krejt ndryshe për kompanitë e shërbimit financiar. Drejtori i Unionit Financiar Tiranë (përfaqësues ekskluziv i Western Union në Shqipëri), kompani që ka filiale në Kosovë dhe Maqedoni, tregon se ecuria ka qenë pozitive dhe madje edhe tej parashikimeve.
“Ka qenë vit pozitiv për biznesin në Kosovë dhe Maqedoni, ku kemi pasur rritje të kënaqshme dhe brenda parashikimeve. Ne praktikisht e kishim parashikuar rritjen, por mund të themi që realisht ajo ka qenë edhe më pozitive”, thotë z. Elton Çollaku, drejtor i UFT-së.
Për z. Çollaku, arsyet e rritjes janë bazuar në investimet e vazhdueshme që ka ndërmarrë kompania, me gjithë krizën ekonomike.
“Kemi arritur të jemi konkurrues në treg, duke qenë më afër klientëve, qoftë përmes rrjetit tonë të shërbimit, forcimit të brandit përmes investimeve në marketing, si dhe me shtimin e produkteve. Fakti është që ne nuk jemi tkurrur në investime”.
Kompania parashikon të ruajë këtë trend, duke arritur rritje pozitive edhe në vazhdim.
Rritje pozitive ka shënuar edhe grupi shqiptar “Balfin”, ku investimi më i fundit ka qenë ai i pak muajve më parë, ngritja e qendrës më të madhe tregtare në Shkup dhe në rajon, “Skopje City Mall”. Përfaqësuesit e grupit tregojnë se janë prezentë në Kosovë, Malin e Zi, Serbi dhe në Maqedoni, përmes qendrës tregtare, si dhe në fushën e elektronikës me anë të rrjetit “Neptun International”. Ndërkohë që operon edhe në Austri, përmes kompanisë së tregtimit me shumicë së produkteve elektronike, “Alba Trade”.
Sipas Anjeza Ramollit nga “Balfin”, ecuria ka qenë pozitive duke shënuar rritje në të gjitha shoqëritë krahasuar me një vit më parë dhe duke respektuar synimet e vendosura për vitin 2012.
“Në tregje të konsoliduara, performanca ka qenë më e mirë se në Shqipëri. Kosova ka pasur rritjen më të madhe gjatë vitit 2012, xhiro e shoqërisë është rritur me 30% krahasuar me një vit më parë. “Alba Trade”, duke qenë se operon në Austri, një nga vendet e Komunitetit Europian, që nuk është prekur nga kriza e përgjithshme, ka pasur rritje konstante nga viti i kaluar”, thotë znj. Ramolli.
Sipas saj, kompania ka kryer investime strategjike në sektorë që sipas analizës janë rentabël dhe përbëjnë risi. Në përzgjedhjen e investimeve jashtë territorit të Shqipërisë, kompania është munduar të zvogëlojë riskun e shtetit, me anë të kombinimit të biznesit të zhvilluar në shtetin përkatës.
Por në investimet jashtë, hasen vështirësi në njohjen e thelluar të legjislacionit dhe faktorëve vendas që ndikojnë në biznes, si dhe largësinë gjeofizike.
“Me drejtimin e duhur dhe motivimin e stafit është e menaxhueshme. Ndaj rol të rëndësishëm në ecurinë pozitive ka luajtur edhe kombinimi i burimeve njerëzore (midis atyre vendas dhe jovendas), që është thelbi i një biznesi të shëndoshë”, thotë përfaqësuesja e “Balfin”.
Drejtuesit e grupit “Balfin” thonë se do të vijojnë me ekspansion, çka çon drejt kërkimit dhe zhvillimit në tregje me hapësira për biznesin. Sipas tyre, Kroacia dhe Kosova mbeten vende strategjike për investim, por nuk përjashtohen dhe vende të tjera sipas oportuniteteve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.