Xhirot e të mëdhenjve të naftës dhe gara mes tyre. Sipërmarrjet e naftës janë rritur ndjeshëm në vitin 2013. Disa importues janë fuqizuar ndjeshëm, të tjerë kanë dalë nga tregu….
Dy kompanitë e para në listën e 100 më të mëdhave nga qarkullimi vjetor gjatë vitit 2013 janë në fushën e naftës, Bankers Petroleum, e cila është aktive në zbulim e nxjerrje të naftës dhe Kastrati, e dyta, në tregtimin me shumicë e pakicë të produkteve të hidrokarbureve.
Bankers Petroleum është operatori i vetëm, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse në Shqipëri, Patos Marinzë, një nga më të mëdhatë në Europë, duke prodhuar 1.06 milionë tonë naftë në vitin 2013, nga 1.2 milionë tonë, që ishte prodhimi gjithsej po atë vit, sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës. Kjo rritje i ka sjellë kompanisë një nivel rekord të ardhurash prej rreth 68 miliardë lekësh (Të ardhurat e rakorduara me deklarimet tatimore PDF për efekt të TVSH-së) me një zgjerim prej 28% me bazë vjetore, sipas bilancit të saj të vitit 2013, duke u bërë për dytin vit radhazi, sipërmarrja më e madhe në vend, e matur nga qarkullimi vjetor.
Bankers ka qenë një ndër udhëheqësit kryesorë të eksporteve shqiptare vitet e fundit, me grupin e “Lëndëve djegëse minerale, vajrat minerale”, që u zgjerua me 34% me bazë vjetore në 2013-n, e duke ndikuar në gati 60% të rritjes së eksporteve shqiptare në total dhe duke qenë sektori që “shpëton” statistikat shqiptare për rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke i mbajtur ato në zonë pozitive.
Kompania rezulton me një tatimfitim kontabël të shtyrë prej 8.2 miliardë lekësh në 2013, nga 6.5 miliardë lekë në 2012-n. Por, sipas shpjegimit në bilancin e saj të vitit 2013, “rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” por, bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori. Si rrjedhojë, kompania nuk rezulton me fitim të tatueshëm, përkundrazi, humbja e tatueshme, e deklaruar nga Bankers për vitin 2013, është 20 miliardë lekë (gati 30% e të ardhurave të deklaruara).
Kastrati është sërish në vendin e dytë në renditjen e 100 sipërmarrjeve më të mëdha në vend. Me një xhiro prej rreth 64 miliardë lekësh, kompania e tregtimit të naftës, pa një rritje të qarkullimit vjetor me 35% gjatë vitit 2013.
Një biznes i vështirë do ta quante Luigji Aliaj, një ndër aksionerët dhe drejtuesit e Kastratit, që i kontaktuar nga “Monitor”, nuk është shumë entuziast për zgjerimin galopant të kompanisë në vitin 2013, duke e vënë theksin te disa faktorë si shtrenjtimi i çmimit të naftës, apo shtimi i taksave, që e kanë ndikuar rritjen e qarkullimit vjetor, ndonëse importet e naftës në total në 2013-n u zgjeruan me vetëm 6.5%. Të gjitha këto, në fakt, i kanë shtuar kostot, duke bërë që Kastrati të përgjysmojë fitimet në 2013-n.
Ndërsa, aktiviteti si nënkontraktor i Bankers Petroleum ka qenë një tjetër faktor që ka ndikuar në shtimin e xhiros së kompanisë, për arsye të marzheve të ulëta me të cilat bëhet kjo xhiro.
Edhe kompania tjetër e grupit, Kastrati sh.p.k. (që tregton me pakicë) e rriti ndjeshëm qarkullimin vjetor, nga 2.1 miliardë lekë, në 8.6 miliardë lekë, duke u renditur në vendin e 28, nga i 89-i në 2012-n.
Konkurrenti më i afërt importues i naftës është Europetrol Durrës Albania (marka në tregtimin me pakicë është Elda), i cili dy vitet e fundit nuk ka arritur të ndjekë ritmet e rritjes së Kastratit, ndonëse deri dy-tre vjet më parë, dy konkurrentët ishin “rrotë më rrotë”. Për vitin 2013, Europetrol deklaroi 22.6 miliardë lekë xhiro, me një rritje prej 1%, duke u ngjitur në vendin e shtatë, nga i dhjeti një vit më parë. Kompania tjetër e grupit, Skënderi G, që tregton naftën me pakicë, realizoi një qarkullim vjetor prej rreth 7 miliardë lekësh, duke u renditur në vendin e 32.
Tea Construction & Petrol, pjesë e Tea Oil Group, ka katërfishuar aktivitetin e saj në 2013-n, duke arritur një xhiro prej 8.7 miliardë lekësh, për t’u ngjitur në vendin e 27, nga i 68-i që ishte vetëm një vit më parë. Sipas burimeve zyrtare të kompanisë, aktiviteti i saj kryesor është shitja me shumicë dhe pakicë e naftës, ndërtimi i rrugëve, import-eksporti etj. Së fundmi ajo zotëron dhe markat e naftës Alpet dhe Cyclon. Kompania shet gjithashtu produkte të distiluara nga rafineritë lokale. Produktet e përpunuara si bitum, solar, etj., eksportohen në vende të tjera të rajonit si Kosova dhe Maqedonia.
Operatori i katërt më i madh tregtues i naftës në 2013-n ishte Genklaudis, me një qarkullim vjetor prej 12.7 miliardë lekësh, me një rritje prej rreth 6%, duke u pozicionuar në vendin e 15-të në renditjen totale.
Taçi Oil, që në vitin 2012 ishte sipërmarrësi i dytë më i madh i naftës në vend, ka shënuar rënie të ndjeshme të xhiros me 77%, nga 32.8 miliardë lekë, në 9.1 miliardë lekë, teksa ka ushtruar aktivitet vetëm gjysmën e parë të vitit, për të dalë më pas nga tregu i naftës (shiko nënndarjen Viti i mbrapshtë i…). Kompania ka zbritur nga vendi i 5-të në vitin 2012, në të 26-in në vitin 2013, ndërsa në 2014-n pritet të dalë fare nga lista e 100 të mëdhenjve.
Klodi sha ka qenë një tjetër operatori në tregun e naftës, që ka parë një rritje prej 44% të faturimit vjetor, në 4.52 miliardë lekë.
Edhe ARMO, që vitet e fundit ishte bërë faktor në tregun e naftës ka zbritur në vendin e 57, me vetëm 3 miliardë lekë xhiro nga pozicioni i 11-të në 2012-n (për performancën më të detajuar të ARMO-s shiko sërish nënndarjen (Viti i mbrapshtë i…).
Vil Oil (i cili tregtonte markën Alpet) është një tjetër kompani nafte që ka dalë nga lista e 100 më të mëdhenjve, ndërsa kompania është vënë nën sekuestro konservative që nga mesi i vitit 2013, sipas të dhënave nga QKR dhe marka Alpet tashmë tregtohet nga Tea Construction & Petrol.
Operatorët e rinj që po marrin tregun e Taçi Oil dhe Alpet (përkatësisht IT Oil dhe Gulf International) nuk figurojnë në 2013-n në listën e 100 më të mëdhenjve.
Tregu oligopolistik
Përqendrimi i tregut mbetet i lartë deri në nivelin e shitjes me pakicë. Ky përqendrim i lartë dhe karakteristikat e tregut si transparenca, homogjeniteti dhe kërkesa e qëndrueshme për produktin bëjnë që elasticiteti i kërkesës ndaj çmimit të shitjes për karburantet të jetë i ulët. Nga hetimi u evidentua se se ndërmarrjet Kastrati SHA dhe Kaspetrol SHA te cilat zotërohen nga të njëjtët aksionerë, si dhe Europetrol Durrës SHA, Taçi Oil SHA, Everest Oil SHA jane ndermarrjet kryesore ne tregun e importit, tregtimit, dhe të aktivitetit importues dhe tregtar në zonën e lirë doganore në Shqipëri. Sipas Konkurrencës, Kastrati SHA është importuesi më i madh i produktit naftë për periudhën objekt hetimi. Pjesa e tregut të kësaj ndërmarrje është rritur në vitin 2013 duke arritur rreth 46,3% të tregut të produktit naftë dhe rreth 37% të tregut të produktit benzinë.
Sipas Autoritetit, struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri është e formës oligopolistike ku një numër i vogël ndërmarrjesh rezultojnë që importojnë dhe tregtojnë karburant në territorin shqiptar.
Planifikojmë të dalim me fitim në periudhën 2017-2018
INTERVISTA/ Flet David French, President & CEO i Bankers Petroleum Ltd
Si e vlerësoni ecurinë e Bankers Petroleum Albania në vitin 2013?
Në 2013-n, Bankers Petroleum ka shënuar disa arritje të rëndësishme përmes strategjisë sonë për një zhvillim të besueshëm dhe rritje sistematike.
-Kemi investuar një total prej 234,000,000 $ në asetet tona në Shqipëri në 2013 dhe kemi kontribuar më shumë se 94.000.000 $ për qeverinë shqiptare nëpërmjet taksave vendore dhe taksave të drejtpërdrejta për qeverinë dhe Albpetrol.
– Rritëm prodhimin me 21%, duke e çuar prodhimin mesatar në 18.169 fuçi nafte në ditë, një rekord për kompaninë dhe historinë 85-vjeçare të fushës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.
– Kompania ka shpuar një rekord prej 145 pusesh horizontale.
– Kemi zgjeruar tregun për naftën bruto shqiptare, duke shpërndarë ngarkesat e naftës së papërpunuar të Patos-Marinzës në Indi dhe Azi për herë të parë.
– Bankers filloi pilotimin e zbatimit të metodave të dyta për zgjerimin e rezervave të nxjerrshme të naftës, për të parë se si teknologjia mund të aplikohet për të rritur potencialin në Patos-Marinëz.
Ju jeni kompania më e madhe në Shqipëri, cilat janë ndikimet në ekonominë e vendit?
Bankers është investitori i huaj direkt më i madh në Shqipëri, ne kemi investuar mbi 1.4 miliardë dollarë në operacionet tona gjatë dhjetë viteve të fundit. Bankers është edhe kontribuuesi më i madh në taksat në vend, duke kontribuar 94.000.000 $ në taksa dhe kontribute për qeverinë dhe kontributin në natyrë të naftës së papërpunuar, për Albpetrol në 2013-n dhe ky numër do të rritet në mbi 100 $ milionë këtë vit. Ne jemi edhe një punëdhënës i rëndësishëm, duke punësuar mbi 500 punonjës direkt dhe 1700 punonjës indirekt në rajonin e Fierit.
Ndonjë informacion mbi situatën në vendburimin e Kuçovës dhe Bllokun F dhe cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Së fundmi, ne kemi filluar punën në Kuçovë, duke marrë përsipër një numër pusesh nga Albpetrol, kompania shtetërore e naftës. Ne gjithashtu kemi në plan të shpojmë pusin e parë horizontal në këtë zonë brenda këtij viti. Nëse kemi sukses, kjo do të çojë në zgjerimin e aktivitetit në 2015. Blloku F është një bllok kërkimi me potencial të përmbajë rezerva të gazit natyror. Ne jemi në fazën e dytë të kërkimit në bllok dhe aktualisht jemi në mes të punës për studimin gjeofizik 3D për herë të parë në vend, për të parë imazhet e nëntokës dhe për të kuptuar më mirë perspektivën e zonës.
Në deklaratat tuaja të fundit për shtyp ju keni njoftuar për ndërmarrjen teknikave të avancuara për rikuperimin e naftës … A mund të na ofroni më shumë detaje mbi këto teknologji?
Përdorimi i ujit dhe polimerit për të menaxhuar presionin e rezervuarit është një koncept i thjeshtë që është provuar edhe në shumë vendburime të tjera të naftës, veçanërisht në Amerikën e Veriut. Zgjedhjet e ujit ose polimerit janë përdorur për të zëvendësuar presionin e humbur në rezervuar, gjë e cila ndihmon në lëvizjen e naftës drejt puseve të prodhimit. Duke zëvendësuar energjinë e shtresës në rezervuar, ne do të jemi në gjendje të zbusim rënien e prodhimit dhe rritjen e koeficientit të nxjerrjes së naftës. Ne filluam pilotimin e polimerit dhe ujit në vendburim, në fillim të vitit 2013, me konvertimin e puseve të prodhimit ekzistuese horizontale në puse uji dhe polimeri duke pritur 9-12 muaj për të parë një rezultat në puset e afërta të prodhimit. Deri më sot, të gjitha rezultatet e prodhimit janë në përputhje me të dhënat për një potencial rritje të rezervave në zonat që kemi testuar prej 5-10%. Këto rezultate pozitive na kanë inkurajuar të vazhdojmë të zgjerojmë këto projekte pilot, për të testuar zona të tjera të vendburimit për 2014-n, dhe 2015-n.
Cilat janë planet dhe objektivat tuaja për pjesën tjetër të vitit 2014? Si e parashikoni mbylljen e këtij viti?
Për këtë vit ne jemi në rrugën e duhur për të investuar 313.000.000 $ dhe për të arritur 10 – 15% rritje të prodhimit vjetor. Prodhimi aktual është mbi 21.000 fuçi nafte në ditë. Me shtimin e sondës së 6-të në pranverë, ne kemi shpuar 76 puse horizontale deri në fund të tremujorit të dytë, nga 150-170 puse horizontale që është plani vjetor. Ne jemi duke vazhduar në strategjinë tonë me tre pjesë për ekzekutimin e programit tonë primar të shpimit, duke zgjeruar marzhin tonë të produktit dhe vlerësimin e modeleve tona të ujit dhe polimerit.
Ka pasur shumë diskutime dhe debate se Bankers nuk paguan tatimin mbi fitimin. A keni ndonjë kohë kur kompania do të paguajë tatimin mbi fitimin, i cili për industrinë e naftës është 50%?
Aktualisht Bankers paguan ~ 17% të të ardhurave tona në detyrime dhe pagesa tatimore për Albpetrol, që barazohet me 94.000.000 dollarë në vitin 2013 dhe do të jetë mbi 100 milionë dollarë në vitin 2014. Aktualisht ne parashikojmë të jemi në pozitën për të pagur tatimin mbi fitim në 2017-2018, kohë në të cilën kompania do të jetë subjekt i një niveli prej 50% të fluksit tonë të parasë. Tatimi mbi fitim aplikohet mbi të ardhurat e gjeneruara mbi investimet që ne kemi bërë. Sepse investimi, deri më sot, është ende shumë më i madh se të ardhurat e realizuara dhe do të jetë kështu disa vite deri sa ne të gjenerojmë fitimin që do të taksohet.
Bankers ka deklaruar se është duke negociuar me qeverinë shqiptare, duke u përpjekur të zbusë ndikimet e paketës së re fiskale të imponuara nga qeveria në fillim të këtij viti. Ku jeni ju në lidhje me këtë?
Ne kemi bërë progres të rëndësishëm në diskutimet tona me qeverinë dhe kemi marrë garanci të shkruar se disa nga ndryshimet fiskale do të zbuten në përputhje me klauzolën e stabilizimit brenda Marrëveshjes sonë Hidrokarbure. Ne presim që të kemi marrëveshje zbutjeje formale të nënshkruar këtë tremujor, që ne besojmë do të jetë një mesazh shumë pozitiv për investitorët e huaj të tanishëm dhe të ardhshëm në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.