Veza Rea`s
Impianti i prodhimit të vezëve Rea`s është investim i dy biznesmenëve shqiptare dhe ka nisur të funksionojë që në vitin 2006. Me rreth 8 milionë euro është bërë e mundur ngritja e një prej pularive më moderne në Evropë me teknologji tërësisht gjermane me cikël të mbyllur, çka do të thotë që rritja e zogjve, prodhimi i ushqimit dhe i vezëve kryhet brenda këtij impianti. Pularia shtrihet në një sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorë dhe këtu gjenden pularia e rritjes së zogjve, ajo e prodhimit të vezës, impianti i paketimit dhe linja e përpunimit dhe prodhimit të ushqimit. Pjesa më e madhe e të gjithë procesit kryhet nga linja të automatizuara dhe monitorohet nga sisteme kompjuterike dhe personal i kualifikuar. Prodhimi aktual është rreth 50-60 milionë kokrra në vit, me një gamë të gjerë nga vezët “small” deri të ato “extra large”. Një pjesë e prodhimit eksportohet për në Kosove, Maqedoni, Itali dhe Greqi. Në këtë pulari moderne punojnë rreth 45 punonjës.
Pularitë
Aktualisht kemi 15 pulari të specializuara për prodhim vezësh, prej të cilave, vetëm gjatë 9 mujorit të 2012 janë prodhuar rreth 215 milionë kokrra vezë. Parashikohet që prodhimi i vezëve në total për 2012 të jetë rreth 290 milionë kokrra, ndërkohë që në 2005 u prodhuan 236 milionë kokrra. Që prej 2005 eksporti ka regjistruar vetëm rritje. Në 2005 u eksportuan 1.6 milionë kokrra vezë, një vit (2006) më vonë mbi 29 milionë kokrra, ndërsa në 9 mujorin e 2012 eksporti arriti në mbi 47 milionë kokrra, 30 herë më shumëse në 2005. Mendohet që vitit 2012 të regjistrojë një eksport prej mbi 60 milionë kokrra vezë.
Prodhimi i bollshëm dhe maturimi i këtij segmenti të agroindustrisë ka reflektuar dhe ndikuar në uljen e importeve. Kështu nga 2.8 milionë kokrra të importuara në 2005, në 9 mujorin e 2012 u regjistrua një import prej vetëm 160 mijë kokrra, rënie me mbi 17 herë.
Prodhimi total
Fermat me shpendë e veçanërisht ato me pula zënë peshën më të madhe të fermave blegtorale në tërësi. Vetëm për vitin 2011 kishim rreth 274 mijë ferma me pula me rritje prej 1.5% krahasuar me vitin 2010. Numri i krerëve ishte rreth 6.6 milion në vitin 2011 nga 5.2 milion në 2010, si dhe me një rritje prej 60% krahasuar me vitin 2000. Kemi një prodhim prej 858 milion kokrra në vitin 2011, me një rritje prej 1.5% krahasuar me vitin 2010. Për vitin 2012, prodhimi total i vezëve nga pularitë dhe fermat e shpendëve mendohet të arrijë deri 1 miliard kokrra.
PRODHIMI I VEZËVE NGA PULARITË
Emërtimi Njësia 2005 2009 2012 (9-mujori)
Pulari (vezë) 24 21 15
Vezë Milion kokrra 236 329 215
Eksport Milion kokrra 1.6 29.3 47.3
Importi Milion kokrra 2.8 0.56 0.16
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.