Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) njofton se miratoi në 28 shkurt marrëveshjen 36-mujore prej 295.42 milionë SDR (rreth 330.9 milion euro, ose 457.1 milion dollarë; 492.4 përqind e kuotës së vendit në Fond) Instrumenti i Zgjeruar i Fondit (Extended Fund Facility – EFF) me Shqipërinë për të mbështetur programin e reformave të autoriteteve. Miratimi mundëson disbursimin e menjëhershëm të 23.55 milionë SDR (rreth 26.4 milionë euro, ose rreth 36.4 milionë dollarë). Banka Botërore dhe Bashkimi Europian ka gjithashtu mundësi që të ofrojnë asistencë për programin e reformave të autoriteteve.
Në vijim të diskutimeve të Bordit Ekzekutiv për Shqipërinë, z. David Lipton, zëvendës-drejtor i parë dhe kryetari në detyrë, tha:
“Ecuria ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet në 2014 e mbështetur nga ulja e planifikuar e rreziqeve themelore në fushën fiskale, shlyerja e detyrimeve të prapambetura, adresimi i nivelit të lartë të kredive nën standart dhe nisja e reformave strukturore. Megjithatë, rreziqet janë të konsiderueshme dhe nevojat për rifinancim të mëdha. Programi EFF do të ndihmojë Shqipërinë për të plotësuar nevojat e saj për financim të jashtëm, duke ofruar njëkohësisht mbështetjen e nevojshme për të forcuar qëndrueshmërinë fiskale dhe të borxhit, të ulë rrezikun e financave publike dhe të vendosë ekonominë në një rrugë rritjeje të qëndrueshme afatmesme.
“Niveli i lartë i borxhit kërkon një konsolidim fiskal që synon të ulë borxhin publik poshtë 60 përqindëshit të PBB-së në afatin e mesëm. Kjo do të kërkojë masa domethënëse në politikat tatimore dhe të shpenzimeve. Ulja e stokut të detyrimeve të prapambetura dhe vendosja e një mekanizmi që parandalon rikrijimin e tyre do të jetë gjithashtu kritike.
“Një lehtësim i mëtejshëm i moderuar i politikës monetare mund të ndihmojë në mbështetjen e rigjallërimit ekonomik, në rast se pritshmëritë për inflacionin dhe stabilitetin financiar mbeten të mirëankoruara. Megjithatë kjo do të duhet të peshohet me kujdes kundrejt rreziqeve që sjell ekspozimi i lartë në valutë.
“Ruajtja e stabilitetit financiar duke përmirësuar aksesin në kreditim është e nevojshme për të ndihmuar një rigjallërim të qëndrueshëm. Ulja e kredive nën standart do të ruajë stabilitetin financiar dhe mund të ndihmojë që të ulë pengesat në ofertën e kreditimit duke reduktuar ngurrimin e bankave. Zbatimi i shpejtë i rekomandimeve të programit të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP), përfshirë dhe ato që lidhen me uljen e rreziqeve në sektorin jo-bankar, do të jenë të rëndësishme.
“Planet e autoriteteve për të reformuar pensionet, energjinë, financat e pushtetit vendor, administratën publike, si dhe mjedisin e biznesit, janë të mirëpritura. Nëse zbatohen si duhet, këto reforma duhet të përmirësojnë aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr investime, të përmirësojnë prespektivën për rritje të qëndrueshme afatmesme dhe të ulin rreziqet fiskale”, tha z. Lipton.
….Qeveria ka premtuar që të përdorë këtë fond për shlyrjen e detyrimeve ndaj bizneseve. Në total janë parashikuar 35 miliardë lekë (rreth 250 milionë euro) për të paguar bizneset në 2014, nga të cilat 100 milionë euro u siguruan nga FMN dhe në qershor pritet të miratohet fondi nga Banka Botërore për të mbuluar pjesën tjetër. Pjesa e mbetur e totalit të detyrimit të llogaritur në 72 miliardë euro do të ndahet në dy vitet e mëpasshme, 2015-2016.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.