Sipas Dhomës, kjo ka qenë një kërkesë e hershme e biznesit të fasonit.
“Propozimi i rëndësishëm i kryeministrit Berisha vjen në një kohë kur sektori i rregjimit të përpunimit aktiv (fason) vijon të jetë i përfshirë në ngërçin e krizës globale, sidomos asaj që vjen nga kontraktorët kryesorë të kësij sektori, siç janë Italia dhe Greqia, volumi i kontraktimit të punës me të cilët, paraqitet në rënie të vazhdueshme. Gjithashtu propozimi real i kryeministrit vjen kur pesha e këtij sektori, që ka qënë lider në eksportet shqiptare deri në vitin 2011, (duke sjellë sasinë më të madhe të valutës në vend pas remitancave të emigrantëve), ka kaluar në vitin 2012 në një peshë më të vogël” thuhet në njoftimin e kësaj Dhome.
Biznesi i fasonit përfaqëson vetëm 26 % të totalit të eksporteve, duke reflektuar pasojat e krizës ndërkombëtare, të shfaqura me mbyllje ndërmarrjesh, ulje të numrit të kontratave me partnerët ndërkombëtarë, reduktim e shkurtim të numrit të të punësuarëve e madje edhe ulje të pagave mesatare.
Heqja e këtij pragu të tatimit mbi të ardhurat personale të të punësuarëve në sektorin e rregjimit të përpunimit aktiv, është në rradhë të parë një lehtësim për sipërmarrësit e këtij sektori, për faktin e njohur sepse taksa e punës (sigurimet shoqërore+sigurimet shëndetësore+tatimi mbi të ardhurat personale-TAP) paguheshin rregullisht nga punëdhënësi dhe nuk iu ndaloheshin në bordero punëmarrësve (në shumicën e ndërmarrjeve të këtij sektori).
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve gjykon se lehtësimi me 10 % i këtij shpenzimi do të shkojë në favor të rishikimit të pagave të punonjësve me synim rritjen e vazhdueshme të tyre, sikundër ka ndodhur në këto vite, por edhe me rritjen e investimeve kapitale në këtë sektor, për të përballuar konkurrencën e fortë që vjen nga rajoni si dhe rënien e ndjeshme të çmimeve për njësi që vjen nga kriza që ka përfshirë kontraktorët e huaj.
” Ne gjykojmë se pas ndryshimeve në ligjin e Procedurave Tatimore të hyra në fuqi në fillim të janarit, qeveria duhet të realizojë premtimin tjetër të kryeministrit Berisha, sipas të cilit “rritje deri në 500 % e gjobave për mosdeklarim të punonjësve të rinj” duhet të krijojë mundësinë që ‘biznesi të ketë kushtet e deklarimit online të forcës së punës që ka’” thotë drejtori ekzekutiv i kësaj dhome Bardhi Sejdarasi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.