Eksportet kanë vijuar performancën e tyre pozitive në tre muajt e parë të vitit, duke u rritur me 17.2% me bazë vjetore për periudhën janar-mars 2013, duke arritur në 53.2 miliardë lekë.
Tre grupmallrat kryesore kanë shënuar tendencë pozitive, ku rekordin vijojnë ta mbajnë eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, që janë rritur me 47% në 23.4 miliardë lekë, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania Bankers Petroleum.
Në rritje kanë vijuar dhe eksportet e tekstileve e këpucëve, që janë zgjeruar me 4.2% në 16.5 miliardë lekë. Ky zë shënoi rënie përgjatë gjithë vitit të kaluar, por këtë vit eksportuesit duket se po e rimarrin veten, teksa partnerët italianë po rikthehen në Shqipëri, duke iu larguar Kinës.
Grupi i tretë më i madh, ai i materialeve të ndërtimit e metaleve ka parë një rritje të eksporteve me 5% në 7.3 miliardë lekë, si rrjedhojë e ecurisë së mirë të eksporteve të kromit. Edhe ky zë vitin e kaluar shënoi një performancë negative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.