Vetëm Credins, NBG dhe Veneto kanë qenë aktive në kreditimin e ekonomisë në gjysmën e parë të këtij viti. Bankat e tjera vijojnë t’i investojnë paratë e depozituesve të tyre në letra me vlerë të qeverisë, apo i vendosin në institucione financiare jashtë vendit…
Bankat kryesore në vend, me përjashtim të Raiffeisen, kanë arritur që të tërheqin depozitues të shumtë në sportelet e tyre, pavarësisht normave të ulëta të interesit dhe krizës ekonomike që ka rrudhur të ardhurat e kursimet e familjarëve. Por, kjo nuk është transmetuar aspak në rritje të kreditimit të ekonomisë, i cili vijon që të ketë rritje negative.
Në total, depozitat në sistemin bankar janë rritur me rreth 1.1% në fund të gjashtëmujorit të parë 2014, në raport me fundin e 2013-s. Por, sipas statistikave të detajuara të Shoqatës së Bankave, në rast se nuk merret në konsideratë Raiffeisen – e cila po ndjek strategjinë e tkurrjes së bilancit të saj- atëhere rritja e kursimeve në banka për të njëjtën periudhë është rreth 4% (të dhënat janë të disponueshme për 14 banka (Union bank dhe Alpha nuk i kanë publikuar akoma shifrat e tremujorit të dytë 2014).
Credins ka qenë banka që ka arritur të shtojë më shumë depozitat në gjashtë muajt e parë të vitit, në raport me fundin e 2013-s, me një rritje të depozitave prej 10.4 miliardë lekë, apo 11%. Më pas renditen BKT, me rritje në vlerë dhe përqindje përkatësisht 8.5 miliardë lekë dhe 4%, të ndjekura nga Societe Generale (4.9 miliardë lekë dhe 7%), Intesa Sanpaolo (2.6 miliardë lekë dhe 2.3%) dhe Veneto (1.3 miliardë lekë dhe 7.7%).
Ndonëse kanë ecur mirë me depozitat, një pjesë e madhe e bankave kanë vijuar të tregohen të kujdesshme në huadhëniën për ekonominë dhe vetëm pak prej tyre po tregohen agresive.
Credins është banka më aktive në kredidhënie prej rreth tre tremujorësh radhazi. Kjo bankë e ka rritur stokun e huasë me 4.8 miliardë lekë apo 7.1%.
BKT, që në gjashtëmujorin e parë u rendit më e madhja në vend sipas aktiveve dhe që po i gëzohet një rritjeje të kënaqshme të kursimeve, prej disa tremujorësh radhazi e ka ndalur kreditimin e ekonomisë, duke i kanalizuar depozitat në letrat me vlerë të qeverisë apo vendosjet në bankat jashtë. Stoku i kredisë së BKT-së ka rënë me 3% në fund të qershorit, në raport me dhjetorin 2013, performanca më negative e kësaj banke në vite. Deri më se një vit më parë, BKT ishte më aktivja në huadhënien për ekonominë, por strategjia e saj ndryshoi në momentin që Raiffeisen u tërhoq nga blerja e letrave me vlerë, duke u kthyer në “shpëtimtaren” e qeverisë.
Edhe Intesa San Paolo dhe Societe Generale janë “tërhequr” nga huadhënia ndryshe nga viti 2013, kur ishin në pararojë të financimit të bizneseve dhe individëve.
NBG ka vijuar të jetë aktive në kreditim edhe në tremujorin e dy të vitit. Stoku i saj i huasë u rrit me 13.5 miliardë lekë, apo 14%.
Veneto Bank, ndonëse ka një peshë të vogël në totalin e aktiveve ët sistemit bankar po luan një rol të rëndësishëm në kredidhënie, duke rritur stokun me 1.8 miliardë lekë, apo 13.1% në qershor 2014 në raport me fundin e një viti më parë.
Credins, NBG dhe Veneto janë bankat që kanë mbështetur më shumë bizneset dhe individët në gjashtëmujorin e parë të vitit, ndërsa roli i të tjerave ka qenë minimal.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.