Qeveria shqiptare duket se ka nisur të nxehë “motorët” për t’i injektuar ekonomisë më shumë investime. Parashikohet që brenda këtij viti të nisë funksionimi i një qendre me një ndalesë, e cila do të minimizojë burokracitë. Janë disa sektorët që vlerësohen me më shumë potencial, ndërsa do të synohet edhe tërheqja e investimeve nga tregjet e rëndësishme të Europës, por edhe Azisë
Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri, gjatë pesë viteve të fundit, kanë ndjekur një trend pozitiv, me disa luhatje të lehta. Parashikimi për mbylljen e vitit 2013 është në nivelin e rreth 850 milionë eurove. Për vitin 2014, qeveria premton për investitorët një “Shqipëri të gjeneratës tjetër”, një vend me forcë pune të konkurrueshme dhe me mundësi të shumta. Janë disa organizmat që do të punojnë për tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja e për këtë do të krijohet me ndihmën edhe të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Këshilli i Investimit, si një zgjatim i dytë i Këshillit Ekonomik Kombëtar. Synimi i qeverisë është garantimi i qëndrueshmërisë së investimeve, të rëndësishme për mirëqenien ekonomike të vendit. Iniciativa e re për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte quhet “Thirrja e Shqipërisë” (Albania Calls!). Por, nga ana tjetër, sfidat janë të mëdha, sepse edhe pse Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri kanë mbajtur një nivel konstant dhe një trend pozitiv problemet vazhdojnë të mbarten e janë të tilla, si: çështjet ende të pazgjidhura të pronësinë, ekonomia informale, nevoja për një fuqi punëtore të kualifikuar, forcimi i të drejtave të pronësisë intelektuale etj., e që kërkojnë zgjidhje. Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri i gjejmë kryesisht në sektorët e industrisë, energjisë, sektori financiar dhe telekomunikacioni. Një pjesë e këtyre sektorëve vazhdojnë të jenë prioritarë për qeverinë duke shtuar edhe turizmin, bujqësinë, agrobiznesin.
Flet Ardit Çollaku, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve (AIDA)
Si e vlerësoni klimën aktuale të biznesit në Shqipëri? Cilat do të jenë shtyllat kryesore ku do të mbështeteni për nxitjen e investimeve?
Sikundër e dini, një nga fushatat e veprimtarisë së Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve është nxitja e investimeve dhe përmirësimi i klimës së biznesit në kuadër të programit të qeverisë shqiptare. Objektivi ynë është të nxisim jo vetëm Investimet e Huaja Direkte, por edhe ato të brendshme. Nga ana tjetër, AIDA ka gjithashtu detyrë që të rrisë edhe konkurrueshmërinë e biznesit, në mënyrë të veçantë rritjen e qasjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në ekonomi duke i asistuar. Objektiv tjetër është edhe ai i promovimit të vendit në tregjet ndërkombëtare, ku duhet të kemi parasysh panairet, konferencat, etj.
Është e rëndësishme të nënvizojmë se klima e biznesit është në përmirësim të vazhdueshëm. Në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Zhvillimit të Ekonomisë jemi duke nxitur iniciativa, si ajo e një pakete fiskale për industrinë fason, si një gjeneruese e vendeve të reja të punës, por edhe iniciativa të tjera, ajo e rimbursimit të TVSH-së për investimet e realizuara. Të gjitha këto janë masa që shkojnë në favor të investitorit. Duhet të theksojmë edhe avantazhet që ofron vendi, me pozicionin e tij strategjik, me fuqinë punëtore me kosto ndër më të ulëtat në rajon (rreth 160 euro/muaj). Nga ana tjetër kemi një nivel të ulët të tatimit mbi të ardhurat (15%) në një kohë kur në vendet e Europës shifra llogaritet në rreth 55%.
Së fundmi janë ndërmarrë vizita të shpeshta jashtë vendit, si në Angli edhe Itali për të lobuar, cili ka qenë feedback-u i investitorëve, çfarë interesash kanë shfaqur?
Nismat e fundit të ndërmarra nga Kryeministri kanë dhënë efektet e para tek investitorët e interesuar dhe këtë e kemi konstatuar edhe në rritjen e frekuencës së komunikimeve, veçanërisht me sipërmarrësit italianë. Fokusi ynë është tërheqja e sa më shumë investitorëve dhe hapja e vendeve të reja të punës, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe duke rritur mirëqenien në vend.
A është motoja e re, me të cilën synohen të tërhiqen investimet, “Albania Calls!”?
Si në Itali, ashtu edhe në Londër në konferencën e organizuar nga BERZH, prezantimi i katalogut “Albania Calls” u prit me shumë interes. “Albania Calls”, është një produkt i Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve që do të vazhdojë të përmirësohet.
Çfarë u ofrohet konkretisht investitorëve të huaj?
Një nga pikat ku ne projektojmë rritje të cilësisë dhe të shërbimeve mund të jenë edhe zonat ekonomike dhe industriale. Aktualisht kemi nëntë parqe industriale (ku njëra prej tyre ka statusin e zonës së lirë ekonomike), si në Koplik (Shkodër), Shëngjin (Lezhë), Spitallë (Durrës), Vlorë, Rashbull (Durrës), etj., që janë përcaktuar me vendim nga qeveria e mëparshme, por nuk kanë qenë funksionale. Nga verifikimet që kemi bërë në terren ka rezultuar se ka pasur abuzime në lidhje me koncesionet e dhëna.
Si do të mund të aktivizohen këto zona?
Ministria e Zhvillimit Ekonomik është duke hartuar një plan strategjik për rikthimin në funksion të këtyre zonave. Jemi duke përcaktuar edhe ndarjen që do të bëhet me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, pasi kemi të bëjmë me zona të lira ekonomike dhe industriale.
Po synoni të zhvilloni një model të ngjashëm si në Maqedoni?
Do të ishte një model tërheqës. Kemi parë nga afër funksionimin e disa zonave, të tilla si Shkupi 1, Shkupi 2 dhe atë të Tetovës. Maqedonia ndjek dy modele, zonat e lira të Shkupit janë të menaxhuara nga shteti, ndërsa ajo e Tetovës është me partneritet publiko-privat (PPP).
Qeveria shqiptare do të synojë zhvillimin e këtyre zonave me bazë PPP.
Cilët janë sektorët që ju mendoni se kanë më shumë potencial, duke qenë se konkurrenca për thithjen e investimeve të huaja, veçanërisht në rajon, është rritur ndjeshëm?
Sektorët prioritarë janë disa, ku më kryesorët mund të përmendim: energjinë e rinovueshme. Në këtë kuadër, ministri i Energjisë dhe Industrisë lajmëroi edhe përafrimin e legjislacionit me direktivat e BE-së, por nga ana tjetër edhe për të minimizuar ndjeshëm humbjet që janë në nivele të larta. Industria e minierave është një tjetër sektor që veçohet si mjaft tërheqës nga investitorët për shkak të burimeve që ka. Kujtojmë këtu që jemi një nga vendet me potencial të madh në prodhimin e kromit, duke u pozicionuar si vendi i dytë në botë për nga prodhimi i këtij minerali për frymë. Manifaktura është gjithashtu një sektor i rëndësishëm aktualisht për ekonominë e vendit e që gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e sipërmarrësve të huaj. Qeveria synon ta nisë sa më shumë këtë sektor që krijon vende të reja puna dhe përmirëson jetesën e lokaliteteve ku këto biznese ushtrojnë aktivitet.
Bujqësia mbetet padyshim një arsye e fortë se përse duhet të investohet në Shqipëri. Në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Bujqësisë jemi duke evidentuar zonat që mund të kenë potencial, siç mund të jetë edhe rajoni i Lushnjës, por së shpejti do të mund të kemi një hartë të saktë. Sektor i rëndësishëm është edhe ai i transportit. Përmendim këtu një projekt të rëndësishëm siç është ai i Rrugës së Arbrit, që lidh Tiranën me kufirin maqedonas përmes qytetit të Peshkopisë. Qeveria shqiptare është duke komunikuar me investitorë të huaj, jo vetëm Italinë, por edhe kinezë për paraqitjen e këtyre mundësive, por edhe dhënies me koncesion të mirëmbajtjes, për të siguruar shfrytëzimin e plotë të tyre.
Turizmi gjithashtu është një sektor i rëndësishëm, ka pasur disa përpjekje për tërheqjen e investimeve të mëdha, por që nuk mundën dot të finalizoheshin, a ka pasur shfaqje interesi?
Ka pasur një interesim nga ana e një kompanie angleze për të investuar në Gosë të Kavajës. Projekti nuk u arrit të realizohej për shkak të problemeve me mbivendosjen e pronësisë. Aktualisht negociatat janë të ngrira, sepse qeveria shqiptare do të përcaktojë legjislacionin përkatës për vijën bregdetare. Kemi një Ent Rregullativ që së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit është duke përcaktuar vijën bregdetare, ndaj mendoj se brenda sezonit turistik do të fillojnë edhe procedurat për evidentimin e zonave dhe infrastrukturën e nevojshme. Do të synojmë disiplinimin sipas modeleve europiane. Nga ana tjetër kemi edhe sektorin e teknologjisë ku do të kemi përmirësime të ndjeshme.
Cila do të jetë strategjia e marketingut që do të ndjekë AIDA?
Ne do të ngremë një grup këshilltarësh ekonomikë që do të jenë të lidhur drejtpërsëdrejti me agjencinë në ambasadat e vendeve që ne i shikojmë me interes për tërheqjen e investimeve. Gjithashtu do të nxisim organizimin dhe promovimin e panaireve të ndryshme promovuese në vende të ndryshme të rajonit, në bashkëpunim edhe me vende të tjera të rajonit. Megjithatë prezenca kufizohet edhe nga buxheti që kemi në dispozicion dhe që nuk lejon përballimin e të gjitha shpenzimeve. Në vitin 2015 do të kemi mundësi të marrim pjesë në panairin e Expo të Milanos ku Shqipëria do të marrë pjesë në një nga klasterat e agrobiznesit “Bio Mediteranuim”. Ky është një panair që zhvillohet një herë në pesë vjet dhe pas Milanos, vendi mikpritës është përcaktuar Dubai.
A ka tregje të reja nga do të synoni të tërhiqni investime të huaja, përveç atyre tradicionale?
Italia natyrisht është një nga partnerët kryesorë, lehtësisht i aksesueshëm nga të gjitha rrugët dhe një vend me të cilin kemi marrëdhënie të shkëlqyera në shumë fusha. Nga ana tjetër jemi duke rritur përpjekjet për të shtuar investimet nga Gjermania apo edhe Franca, Holanda, Turqia. Vende me të cilat jemi në fazën e përgatitjeve për të nënshkruar memorandume të mirëkuptimit.
Qeveria ka deklaruar se do të krijojë një qendër me një “ndalesë” për investimet, çfarë nënkupton?
Për ne krijimi i një qendre “one stop shop” për investimet do të nënkuptonte “zero burokraci” për një investitor vendas dhe të huaj. Investitori do të mund të regjistrohet me paraqitjen e dokumentacioneve të nevojshme në zonën dhe sektorin ku është i interesuar të krijojë biznesin dhe do të dalë me një biznes të regjistruar brenda 24 orëve. Natyrisht ai nuk do të ndiqet vetëm në hapat e para, por edhe gjatë zhvillimit të biznesit pasi do t’i vihet në dispozicion një strukturë e posaçme, e cila do të asistojë në problematikë, ankimim, procedura etj. E njëjta gjë natyrisht vlen edhe për investimet vendase. Të mos harrojmë që AIDA menaxhon edhe një fond të posaçëm për Inovacionin dhe Rritjen e Konkurrueshmërisë. Jemi në bisedime me Cooperazione Italiana, në lidhje me asistencën që mund t’u jepet bizneseve të vogla dhe të mesme për zbatimin e teknologjive të reja. Me anë të këtij programi, biznesi do të mund të asistohet nga një këshilltar i huaj, i cili do të ndihmojë jo vetëm në zbatimin e teknologjisë, por edhe në rritjen e aksesit për kreditim.
Biznesi do të mund të përfitojë kredi me kushte lehtësuese, me një normë interesi që do të llogaritet në 5.5% (euro) nga bankat e nivelit të dytë. Ligji tashmë gjendet në Kuvend. Në një fazë të dytë do të mund të akordohet një fond prej 15 milionë eurosh. Mund të aplikojë çdo biznes i vogël apo i mesëm për një shumë kreditimi deri në 500,000 euro.
Një iniciativë tjetër është edhe ajo e nxitjes së hapjes së bizneseve të reja nga femrat, që parashikon më shumë lehtësi.
Ne mendojmë se “one stop shop” do të nisë të funksionojë brenda këtij viti, ndërsa jemi ende duke diskutuar nëse do të jetë pjesë e AIDA-s, apo si një strukturë e veçantë.
A keni një parashikim në lidhje me trendin që do të mund të ndjekin investimet e huaja për këtë vit?
Hapat e parë janë tregues pozitivë. Ne jemi duke krijuar një profil të ri për Shqipërinë si një destinacion tërheqës për investimet. Gjithashtu Kryeministri është duke komunikuar drejtpërsëdrejti me investitorët, duke larguar çdo burokraci.
Çfarë ofron Shqipëria
Përveç një klime të mrekullueshme, Shqipëria ofron për investitorët e huaj një sërë avantazhesh midis të cilave: një pozicion strategjik në zemër të Europës me dalje në det dhe akses në të gjithë rajonin e Europës Juglindore, një forcë të re e dinamike të shkolluar e me njohje të gjerë të gjuhëve të huaja, një popullsi me mbi 57% nën moshën 35 vjeç; një regjim liberal për investimet e huaja dhe pa diskriminim, mbrojtje nga shteti në çështje gjyqësore për investimet mbi 10 milionë euro, një kosto konkurruese për fuqinë punëtore, etj.
Reformat që qeveria ka filluar të ndërmarrë në drejtim të përmirësimit të vazhdueshëm të klimës janë: reduktimi i barrierave administrative dhe kostove të biznesit apo edhe në fillimin dhe krijimin e një partneriteti midis qeverisë dhe biznesit në lidhje me nevojat për përmirësimin e teknologjisë, inovacionit dhe aftësisë për të përgatitur “force punëtore të kualifikuar” janë treguesi më i qartë se rruga që ne po ndjekim do ta bëjë Shqipërinë edhe më atraktive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.