Banka e Shqipërisë ka realizuar një anketim me 727 ndërmarrjesh të shpërndara gjeografikisht në të gjithë vendin për të analizuar gjendjen financiare dhe të huamarrjes në vend, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012. Sipas rezultateve të anketimit, prirja e dobët në favor të zgjerimit të veprimtarisë apo të rritjes së investimeve ka vijuar. Balanca neto prej 1.7% e ndërmarrjeve që deklarojnë zgjerim/rritje e dëshmon këtë, duke shfaqur gjithashtu një rënie prej 2.4 pikësh përqindje krahasuar me periudhën paraardhëse. Nga ndërmarrjet aktive në këtë vrojtim, 53.6% (ose 43.6% e kampionit total, 317 ndërmarrje) pohojnë që kanë një hua për të paguar aktualisht, rezultat i cili tregon një rënie prej 2.8 pikësh përqindje krahasuar me përqindjen e ndërmarrjeve huamarrëse në gjashtëmujorin e mëparshëm.
Huamarrja si burim më vete apo i kombinuar është përdorur nga 65.9% e ndërmarrjeve të përgjigjura (211 të tilla) në këtë vrojtim, duke u rritur me 5.9 pikë përqindje në këtë gjashtëmujor. Ndërkohë, veprimtaria e biznesit është financuar vetëm nga shitjet për 27.2% të ndërmarrjeve. Rreth 71% e ndërmarrjeve deklarojnë se shesin më shumë se 80% të produkteve të tyre brenda vendit. Rreth 25% e ndërmarrjeve deklarojnë një rezultat financiar negativ nga veprimtaria e tyre. Veprimtaria e ndërmarrjeve është realizuar “kryesisht në lekë” për 80.3% të tyre dhe “vetëm në lekë” për 15.4% të tyre.
Huaja është përfituar në lekë nga 49.3% e ndërmarrjeve, në euro për 36.1% të tyre dhe në dollarë amerikanë për 2.1% të tyre. Rreth 29% e ndërmarrjeve pohojnë se e kanë përfituar huanë gjatë vitit të fundit, ndërsa 48.2% e tyre e kanë përfituar atë prej një periudhe 1-5 vjeçare. Për 60.1% të ndërmarrjeve, koha e mbetur për shlyerjen e plotë të vlerës së huasë është 1-5 vjet, për 16.9% të ndërmarrjeve ky afat është deri në 12 muaj dhe për 23.1% të tyre ky afat është mbi 5 vjet. Huaja ka pasur si qëllim përdorimi kryesisht përballimin e shpenzimeve korrente për 37.3% të ndërmarrjeve, si edhe kryerjen e një investimi afatgjatë për 30.2% të ndërmarrjeve, ndonëse numri i ndërmarrjeve të cilat kanë marrë hua për këtë qëllim ka vijuar prirjen e mëparshme rënëse. Pasuritë e paluajtshme janë përdorur si kolateral për përfitimin e huasë nga 63.7% e ndërmarrjeve, duke rënë në krahasim me gjashtëmujorin paraardhës, por kjo formë kolaterali është përdorur edhe nga ndërmarrjet të cilat kanë kombinuar disa forma kolateralizimi, përqindja e të cilave ka rezultuar në rritje për këtë gjashtëmujor.
Për më tepër se gjysmën e ndërmarrjeve, huaja shlyhet nëpërmjet pagesave me shuma të barabarta, me frekuencë mujore dhe me një normë interesi të pandryshueshme deri në fund të afatit të maturimit. Vlera e përgjithshme e huasë në raport me kapitalin e ndërmarrjes ka qenë afërsisht sa gjysma e tij për 74.7% të ndërmarrjeve, 4.2 pikë përqindje më tepër se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012. Në raport me nivelin e të ardhurave, 68.6% e ndërmarrjeve tregojnë që në gjashtë muajt e kaluar kanë shpenzuar për huanë deri në 20% të të ardhurave të tyre, ndërsa 27.1% e ndërmarrjeve pohojnë se shpenzimi për huanë e tyre zë 20-50% të të ardhurave të tyre. Rritja e shpenzimit për pagesën e huasë paraqitet e ngadalësuar në krahasim me periudhat e mëparshme, e shprehur në një balancë neto pozitive prej 10.7% në fund të gjashtëmujorit të dytë 2012.
Pagesa totale e këstit të huasë pritet të mbetet thuajse e pandryshuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, e shprehur nga balanca neto prej 0.65% të ndërmarrjeve që presin një pagesë më të lartë në këtë gjashtëmujor, ndonëse për sektorë të ndryshëm këto rezultate janë të ndryshme. Për sa i përket nevojës për huamarrje në gjashtëmujorin e ardhshëm, 83.8% e ndërmarrjeve shprehen se nuk e planifikojnë diçka të tillë. Marrëdhënia me bankat është vlerësuar “e domosdoshme” për 47.8% të ndërmarrjeve, me një rritje prej 2.8 pikësh përqindje në krahasim me gjashtëmujorin paraardhës dhe “e rëndësishme” për 48.5% të tyre. Ndërkohë, 52% e ndërmarrjeve e kanë konsideruar “normal” procesin e marrjes së një huaje nga bankat, 37% e tyre si “të vështirë” dhe 6.6% e tyre e kanë konsideruar “shumë të vështirë” këtë proces.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.